Haradinaj tregon pse nuk po arrijnë t’i gjejnë policët e zhdukur

13:19 | 1 Maj 2018
M. A.

Në ditën e tretë kur dy policë të Kosovës vazhdojnë të mbesin të zhdukur pas aksidentit që kanë pësuar në rrugën Hani i Elezit – Kaçanik, kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka treguar se kanë shtuar numrin e personalit që janë duke i kërkuar policët e zhdukur.

Haradinaj ka theksuar edhe një herë vështirësitë me të cilat po përballen për t’i gjetur dy pjesëtarët e Policisë së Kosovës. Ai ka thënë se kushtet janë të pafavorshme për gjetjen e policëve për shkak të lartësisë së madhe si për shkak të lumit të rrëmbyeshëm.

“Nuk ka diçka të re ende, kërkimet janë intensifikuar, atje kam qenë vetë dhe kemi shtuar numrin e personalit aktiv, mirëpo rrethanat janë tejet të pafavorshme për shkak se lartësia nga kanë rënë policët është shumë e madhe dhe vetvetiu gjendja e trupave nuk mund të jetë e lehtë identifikuar por edhe lumi i rrëmbyeshëm”, ka deklaruar kryeministri.

Ai më tej ka thënë se ende nuk ka bërë një kërkesë zyrtare për kërkimin e policëve nga territori i Maqedonisë, ka thënë se një kërkesë të tillë do ta bëjë pasi të përmbyllen kërkimet në territorin e Kosovës.

“Por në momentin që ta përmbyllim në territorin e Kosovës unë ende nuk i kam bërë kërkesë zyrtare Maqedonisë, për kërkime atje por ma shumë kam bërë kërkesë miqësore që të interesohen, kur të mbyllen kërkimet në Kosovë do ta bëj një kërkesë zyrtare edhe nga ana e Maqedonisë”.

“Do të ju qëndrojmë afër familjes së policëve si Qeveri dhe si shtet nuk do të turpërohemi nga policët të cilët më të vërtetë po kryejnë punë të madhe në vendin tonë”, ka deklaruar Haradinaj.

 

Shpërndaje në rrjete sociale