Haradinaj – Qeverisë: Autostrada e Dukagjinit do ndërtohet sapo të ikni nga pushteti

11:18 | 26 Maj 2023
Emir Abduramani

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, i ka reaguar ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu, në lidhje me deklaratën e mbrëmshme se autostrada e Dukagjinit nuk do të ndërtohet.

Në Facebook, Haradinaj ka shkruar se kjo autostradë do të ndërtohet sapo Vetëvendosja të largohet nga pushteti.

Ai përmendi fushatën e “egër” të VV-së kur ai si kryeministër kishte vendosur për këtë projekt, duke theksuar se Qeveria as nuk po ben projekte infrastrukturore dhe po i bllokon ato ekzistueset.

“Kur ishte vendosur të merrte udhë projekti i autostradës së Dukagjinit si një investim strategjik, meqenëse do ta lidhte pothuaj një të tretën e territorit të Kosovës me pjesën tjetër, pati filluar një fushatë e egër e Vetëvendosjes kundër meje, me arsyetimin se nuk duhej të shpenzoheshin paratë në asfalt. Autostrada e Dukagjinit nuk u ndërtua sepse Qeveria që udhëhiqja unë ishte ndërprerë në mes, kurse qeveria e Vetëvendosjes, jo vetëm që nuk hapi projekte të reja infrastrukturore, por i bllokoi edhe ato ekzistuese”, ka shkruar Haradinaj.

Tutje, kreu i AAK-së ka përmendur projektet e mbetura keq, si rrugët Prishtinë-Mitrovicë, Gjilan, Pejë e Gjakovë.

“Sikur kjo të bëhej me qëllim të rritjes së mirëqenies së popullit, në këto dy vjet të një krize globale ekonomike, edhe do ta kishte një derë, por për fat të keq nuk ka ndodhur as kjo”, tha ai.

Në fund, ai ka një porosi për Qeverinë:

“Po, autostrada e Dukagjinit do të ndërtohet, sapo ju të ikni nga pushteti. Shpresoj shumë shpejt!”./Arbresh.info