Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë përfunduan me renditjen në vend të parë të koalicionit të luftës. Surpriza ishte renditja e Lëvizjes Vetëvendosje në vendin e dytë, ndërsa në vend të tretë është LDK.
Megjithatë, asnjë nga grupimet nuk ka shumicën për të krijuar qeverinë. Me daljen e rezultateve të para nisën të festojnë si kosovarët, ashtu edhe serbët.
“Formimi i qeverisë do të bëhet në përputhje me detyrimet kushtetuese, me mandatin kushtetues. Por nuk shohim vështirësi sa i përket formimit të saj. Ne jemi në punë e sipër që kjo të ndodhë brenda afatit të duhur kohor. Axhenda e Kosovës nuk do të mbahet peng nga askush, përfshi këtu edhe Beogradin, e jo më prej Listës Serbe. Ne jemi një brez që kemi qenë në gjendje për çdo sakrificë për atdheun, ndaj jemi të vendosur t’i kryejmë punët e Kosovës. Por do të punojmë me komunitetet joserbe dhe serbe, gjithsesi jo duke e lënë Kosovën të jetë peng i votës penguese”, deklaroi kandidati për kryeministër, Ramush Haradinaj, nga koalicioni PDK-AAK-Nisma.
Sa i përket numërimit të votave dhe punës së KQZ-së në lidhje me certifikimin e rezultatit, në lidhje të drejtpërdrejtë me edicionin e lajmeve, për korrespondentin Idro Seferi foli edhe zëdhënësi i këtij institucioni në Kosovë, Valmir Elezi.
“Dita e zgjedhjeve ka shkuar jashtëzakonisht mirë, e në bazë të vlerësimeve që kemi marrë nga vëzhguesit vendas dhe ata ndërkombëtarë, por edhe nga mediet, ky proces ka qenë i organizuar mirë nga ana e KQZ-së. Numërimi tashmë ka përfunduar, ndërsa ajo që ndodh më tej është numërimi i votave me kusht, atyre me postë, dhe votat e personave me nevoja të veçanta. Gjithsesi, ky numër votash nuk është edhe aq i madh dhe nuk do të marrin shumë kohë. Sa i përket rezultateve paraprake, tashmë janë shfaqur në faqen zyrtare të KQZ-së dhe kanë mbetur vetëm pak vendvotime për t’u pasqyruar”, deklaroi ndër të tjera Valmir Elezi.
I pyetur mbi kohën e votave të kandidatëve për deputetë, si dhe mbi certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve, nëse priten apo jo ndryshime, ai shtoi:
“Rezultati përfundimtar varet edhe nga procedurat ligjore të përcaktuara në ligjin për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë. Pas përfundimit të numërimit është një afat 24 orë në dispozicion të panelit zgjedhor për ankesa dhe parashtrime, ku subjektet politike dhe kandidatët mund të paraqesin ankesat e tyre. Do të presim vendimin e këtij paneli, për të parë se çfarë duhet ndërmarrë më tej. Deri në rezultatin përfundimtar do të duhet të presim edhe numërimin e votave të përmendura më sipër. Por këto janë thjesht çështje që varen nga procedurat ligjore”, thotë Valmir Elezi.
Identifikohet dhe arrestohet shoferi që goditi këmbësorin dh...
Prokuroria kërkoi 45 vjet burgim për çlirimtarët, reagon gru...
Djali i Thaçit ripërsërit thirrjen për pjesëmarrje në marshi...
Vjedhje e rëndë në Marec, arrestohen tre të rinj
Rama publikon pamje krenarie të ushtarëve shqiptar nga Regji...
Prokuroria e Prizrenit nis hetimet për shkelje të procesit t...