Haradinaj në SHBA kërkon mbështetjen për anëtarësim në NATO

09:33 | 4 Shkurt 2026
E.G

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka përsëritur ambicien e Kosovës për t’u bërë pjesë e Aleancës Veriatlantike, duke kërkuar mbështetje të drejtpërdrejtë nga SHBA-ja.

Në një takim të zhvilluar në Kongresin amerikan me kongresistin republikan nga Teksasi, Pete Sessions, Haradinaj ka theksuar se Kosova e sheh NATO-n si destinacionin e saj të natyrshëm të sigurisë, shkruan Arbresh.info.

Ai ka deklaruar se vendi është i gatshëm të marrë përgjegjësi dhe të kontribuojë krah SHBA-së në angazhimet globale.

“NATO-ja është më e madhe se ne, por ne jemi gati për të”, ka thënë Haradinaj, duke shtuar se Kosova, pavarësisht madhësisë së saj, ka dëshmuar përkushtim dhe qëndrueshmëri përballë sfidave historike.

Deklaratat e tij janë bërë publike përmes një videoje të shpërndarë në Facebook. Haradinaj ndodhet në SHBA me ftesë për të marrë pjesë në aktivitetin tradicional “Lutjet e Mëngjesit”, ndërsa nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është bërë e ditur se ai pritet të mbajë edhe një fjalim në Capitol Hill./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale