Haradinaj kritikon Kushtetuesen: Kjo vonesë e pajustifikueshme vetëm sa ka shtuar paqartësinë dhe krizën kushtetuese në vend

10:30 | 26 Korrik 2025
Q L

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese konfirmon se gjendja aktuale në vend përbën rrezik serioz për funksionimin kushtetues dhe institucional të shtetit.

Haradinaj në reagimin e tij, ka pohuar se “Pikërisht këtë e kishte theksuar edhe AAK në kërkesën e saj të parë drejtuar Gjykatës”.

“Fatkeqësisht, atëherë Gjykata nuk e shqiptoi masën e përkohshme, ndonëse kushtet ishin pothuajse identike me ato që vetë i ka pranuar tani. Në aktgjykimin e fundit, Gjykata konstaton se situata përbën rrezik real për rendin kushtetues, por megjithatë nuk kishte vendosur masën e kërkuar nga AAK”, ka pohuar ai.

Mes tjerash, ai ka shkruar se kjo vonesë e pajustifikueshme vetëm sa ka shtuar paqartësinë dhe krizën kushtetuese në vend.

“Sot ekziston frika reale se ndërhyrja e Gjykatës mund të ketë ardhur tepër vonë për të parandaluar pasojat që mund të ishin shmangur në kohë, sikur ajo të kishte vepruar me përgjegjësi në momentin kur u paraqit kërkesa jonë”, ka pohuar ai.

Ndryshe, sot, deputetët e Kuvendit të Kosovës pritet të mblidhen për herë të 53-të me radhë në përpjekje për ta konstituar Kuvendin.

Seanca për ditën e sotme u thirri pasi Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur masë të përkohshme ndaj veprimeve dhe vendimeve të deputetëve të zgjedhur të Kuvendit, duke ndaluar çdo aktivitet parlamentar nga data 26 korrik 2025 deri në një vendim të mëtejmë.