Kryeministri i sapozgjedhur i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se marrëveshja e tanishme me Malin e Zi për kufirin ka gabime.
Në një interviste për Zërin e Amerikën, Haradinaj ka thënë se me ardhjen e tij në Qeveri këto gabime do të identifikohen dhe se do të ketë edhe ekspertizë të re.
Më poshtë mund të lexoni një pjesë të intervistës së Haradinajt, ku flet për Demarkacionin me Malin e Zi:
Zoti Kryeministër, tashmë ju duhet të përballemi me disa nga sfidat e mbetura nga qeveria e kaluar, si është çështja e kufirit me Malin e Zi, e cila edhe po e mban peng çështjen e liberalizimit të vizave. Si do t’i qaseni këtij problem tash nga pozita e kryeministrit kur ju e keni kundërshtuar ashpër sa ishit në opozitë?
Haradinaj: Parimet e mia politike nuk bazohen në rast të opozitës apo pushtetit, unë mbroj atë që besoj dhe deklarohem për atë që besoj. Versioni i tanishëm i marrëveshjes është i gabuar. Kufiri Kosovë-Mali i Zi është në Çakorr dhe në Kullë dhe në majat e larta, pra ne do të korrigjojmë këtë. Është një fat i madh që Mali i Zi është një vend fqinj, ne ju kemi gëzuar përparimeve të Malit të Zi, veçanërisht anëtarësimit në NATO e që synojmë edhe ne të anëtarësohemi në NATO dhe nuk shoh vështirësi të mëdha në këtë temë. Pra, besoj që do të gjendet një dalje e shpejtë nga gjendja ekzistuese, por nuk po precizoj tani cilët hapa do të ndërmarrim por do të gjendet një dalje e shpejtë nga kjo gjendje dhe nuk do të vonojmë liberalizimin e vizave.
Por, zoti kryeministër tashmë Mali i Zi ka ratifikuar marrëveshjen për kufirin me Kosovën. A mund të zhbëhet një marrëveshje e tillë?
Haradinaj: Një marrëveshje është e mbyllur kur e ratifikojnë dy parlamente e jo njëri, sepse është marrëveshje ndërkombëtare dhe si e tillë ajo mund të kthehet edhe në pikën zero, pra nëse nuk e ratifikon edhe pala tjetër.
Zoti Kryeministër, një pyetje hipotetike. nëse pas çdo verifikimi të marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi del që është jashtë asaj që keni pohuar ju, çfarë do të bëni?
Haradinaj: Më falni, tani e verifikoj vet, nuk është dikush tjetër të na tregoj si verifikohet, janë bërë disa gabime në të kaluarën dhe nuk do të vazhdojë më kështu.
Kur flasim për punën e Komisionit Shtetëror që e ka bërë marrëveshjen për kufirin me Malin e Zi, a do ta hidhni poshtë atë marrëveshje?
Haradinaj: Marrëveshja për mua ka gabime, pra për mua, besoj që këto gabime do t’i identifikojmë, me siguri do të kemi edhe ekspertizë të re, pra ekspertë tjerë nga ata që kanë punuar në të kaluarën nga zoti (Murat) Meha dhe të tjerë dhe ata gjejnë të vërtetën, pra marrëveshja ka gabime. Nuk dëshirova të precizoj metodologjinë sepse është herët për të paralajmëruar atë, por janë dy opsione; gjetja e këtyre gabimeve dhe negocimi me Malin e Zi për dakordim, korrigjimi pra në mënyrë që ta miratojmë edhe këtu në Kosovë dhe në Mal të Zi dhe është mënyra tjetër që me ja dërgu parlamentit këtë marrëveshje për votim por duke i thënë që ne e dimë që ka gabime dhe rrëzojeni. Nuk ka rrugë tjetër nuk mbesin të përjetshme këto situata, pra unë do të veproj, nuk do ta lë pa kufi këtë pa epilog.
Sot i jepet lamtumira e fundit 18-vjeçarit që u gjet i vdeku...
Osmani udhëton për në Selinë e Shenjtë, do pritet nga Papa L...
Faton Peci betohet si kryetar i Mitrovicës së Jugut
5.8 milionë euro për ndërtimin e Qendrës Nacionale të Xhudos...
Forcohet bashkëpunimi mes Prokurorisë dhe Departamentit Amer...
Përparim Rama mbështet “protestën gjithëkombëtare” në RMV: S...