Hapet “Java e Gruas” në Fushë Kosovë

14:49 | 25 Maj 2015
M. A.

Është hapur sot në Fushë Kosovë “Java e Gruas” në organizim të grave asambleiste të komunave nga rajoni i Prishtinës.

Anëtarja e Bordit të Grupit të Grave Deputete, Blerta Deliu – Kodra, në fjalën e saj përshëndetëse, ka përmendur rolin e grave deputete në avancimin e barazisë gjinore. Ajo ka folur për të arriturat e GGD-së, si blerja e mamografit mobil, me anë të të cilit bëhet ekzaminimi i grave në çdo komunë të vendit.

“Ne po bëjmë përpjekje që të rrisim përfshirjen dhe fuqizimin e gruas në Qeveri, komuna dhe në të gjithë sektorët. Për këtë arsye ne kemi qenë të vendosura t’ i themelojmë grupet e grave në komuna, kemi insistuar në kandidimin dhe përkrahjen e grave për pozita të rëndësishme, kemi zhvilluar shumë aktivitete për promovimin e të drejtave të gruas, fuqizimin ekonomik etj.” , theksoi Deliu – Kodra.

Të pranishmeve iu drejtua edhe kryetari i Komunës së Fushë-Kosovës, Burim Berisha, i cili tha se ndikimi i grave nga politika dhe shoqëria civile duhet të depërtojë në çdo familje. Ai përmendi faktin se në Komunën e Fushë Kosovës 50% e të punësuarve janë gra.

Zyrtarja për barazi gjinore Lendita Dervisholli theksoi se në kuadër të “Javës së Gruas” të grupeve të grave nga Rajoni i Prishtinës po fillohet me këtë tryezë , ndërsa do të vazhdohet me takimin me gratë në biznes, gratë në zonat rurale, si dhe panairin e prodhimeve të grave nga rajoni etj.

Këtij takimi, që përkrahet nga OSBE-ja , iu drejtua edhe Sanja Mihajlloviq, e cila theksoi se projekti për promovimin e barazisë gjinore në bashkëpunim me Grupin e Grave Deputete do të ketë përkrahje të vazhdueshme nga OSBE-ja./arbesh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale