Grevës iu përgjigjen shumica e shkollave

17:12 | 29 Prill 2015
M. A.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit të Kosovës njofton se grevës që është mbajtur sot i janë përgjigjur rreth 99 për qind të institucioneve arsimore në nivel vendi (nga 1125 institucione arsimore grevën e kanë thyer vetëm 17 shkolla).

“Këshilli Qendror Grevist që nga ora 8 e mëngjesit e deri në përfundim të grevës për ditën e sotme në Arsimin parauniversitar vizitoi një pjesë të këtyre shkollave që ishin në grevë duke bashkëbiseduar me grevistët, që mbronin qëndrimin se greva do të vazhdojë deri sa të dalin pagat për muajin prill dhe të shihet nëse Qeveria vërtetë ka respektuar njërën pikë të Kontratës Kolektive e që ka të bëj më 0.5 për qind të përvojës së punës për çdo vit shërbimi për pagën bazë aktuale për të gjithë të punësuarit në arsim”, thuhet në komunikatën e SBASHK-ut.

Sipas SBASHK-ut grevën e kanë filluar edhe shumica e fakulteteve të Universitetit të Prishtinës nga ora 8 e që zgjat deri në orën 16. Nga 17 fakultete sa janë gjithsej 14 nga to, duke përfshirë këtu edhe fakultetin në Mitrovicë i janë përgjigjur grevës së sotme.

SBASHK-u po ashtu sqaron se në 7 a 8 komuna janë shpërndarë lista të reja. Analizat e para flasin se edhe në këto lista ka gabime në vitet e përvojës së punës e veçmas te punëtorët tekniko-ndihmës sepse po thuajse për të gjithë ata është marrë përvoja e punës 10 vite, përcjell kp.

“Deri në momentin kur po lëshohet kjo komunikatë nga informatat e Këshillave Grevistë Komunale nuk ka ndonjë lajm për ndonjë ndryshim që do të ndikonte në marrjen e ndonjë veprimi tjetër. Kështu që greva do të vazhdojë me të njëjtin orar sikur sot. Edhe një herë kërkojmë mirëkuptim nga nxënësit dhe prindërit për ndërprerjen e procesit mësimor dhe kërkojmë nga Qeveria që t’i përbush obligimet e veta në mënyrë që greva të jetë sa më e shkurtër”, thuhet në komunikatë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme