Negociatat e Vetëvendosjes me partitë e tjera për formimin e Qeverisë mbeten të paqarta dhe pa rezultate konkrete. Marrëveshja e kandidatit të LDK-së në Vushtrri me Vetëvendosjen shkaktoi reagime të forta nga qendra e partisë. Afati për prezantimin e Qeverisë skadon më 26 tetor, ndërsa ankesa e Listës Serbe në Kushtetuese mund ta vështirësojë më tej procesin.
Gjysma e afatit kushtetues për formimin e Qeverisë së re të Kosovës ka kaluar, ndërsa në skenën politike të vendit mbizotëron paqartësia.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, deri më tani ka dhënë vetëm një zotim publik – se “do të nisim negociatat” – por pa sinjale konkrete për ndonjë marrëveshje apo shumicë të mundshme.
Partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, gjendet nën presion të madh për të siguruar mbështetje në Kuvend, pasi zgjedhjet e 9 shkurtit e lanë larg shumicës së nevojshme për të qeverisur e vetme, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Opsionet janë të kufizuara: Vetëvendosje ka përjashtuar bisedimet me Partinë Demokratike të Kosovës, e cila doli e dyta në zgjedhje, ndërsa ka lënë të hapur derën për një bashkëpunim të mundshëm me Lidhjen Demokratike të Kosovës.
VV nuk është përgjigjur mbi ecurinë e negociatave.
Kandidati i LDK-së për kryetar të Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka nënshkruar një marrëveshje për koalicion me Vetëvendosjen për rundin e dytë të zgjedhjeve lokale më 9 nëntor, kur në balotazh garojnë PDK-ja dhe LVV-ja.
LDK-ja qendrore e dënoi këtë veprim, duke e cilësuar si “individual, të papranueshëm dhe në kundërshtim me procedurat statutore” të partisë.
Ndërsa, dega lokale e LDK-së në Vushtrri tha se “qyteti ka nevojë për ndryshim”.
“Vendimet e mëdha nuk janë asnjëherë të lehta, por pavarësisht kostove individuale, për ne një gjë është e qartë – interesi i qytetarëve dhe i Vushtrrisë është mbi gjithçka. Marrëveshja jonë nuk afekton asnjë garë tjetër përveç Vushtrrisë”, thuhet në postimin e saj në Facebook.
Afati kushtetues prej 15 ditësh për prezantimin e Qeverisë së re skadon më 26 tetor.
Pastaj, presidentja Vjosa Osmani, brenda 10 ditësh, duhet t’i ftojë partitë në konsultim dhe, sipas diskrecionit të saj, t’ia japë mandatin një kandidati tjetër që dëshmon se ka shumicën parlamentare.
Osmani tha të hënën se ka ende kohë për të arritur këtë qëllim, duke kritikuar njëkohësisht Listën Serbe për, siç theksoi, krijimin e pengesave.
Lista Serbe, partia më e madhe e komunitetit serb në Kosovë, dorëzoi javën e kaluar një ankesë në Gjykatën Kushtetuese kundër zgjedhjes së nënkryetarit serb të Kuvendit, Nenad Rashiq, duke pretenduar shkelje të Kushtetutës dhe të rregulloreve të brendshme.
Ankesa u paraqit më pak se një javë pas konstituimit të Kuvendit – një proces që zgjati pothuajse gjashtë muaj.
Ekspertët paralajmërojnë se, në varësi të vendimit të Kushtetueses, procesi mund të rifillojë nga zeroja dhe Kuvendi të mos konsiderohet i konstituuar.
I pyetur nga gazetarët për ankesën e Listës Serbe, kryeparlamentari Dimal Basha u përgjigj shkurt: “Kanë të drejtë të ankohen”.
Moti këtë fundjavë
Akt i guximshëm: Sasa publikon fotot ku tregohet trupi i saj...
Kurti: S`heqim dorë nga punët e mira e shërbimi ndaj të mirë...
Flick: Barcelona ka shumë punë, pavarësisht epërsisë
Raportohet se plani i paqes parasheh anëtarësimin e Ukrainës...
“18 vjet, dreq”, përplasje, ofendime e xhelozi mes Benitës d...