Google ADS

Gjyqtarët vazhdojnë grevën, derisa Qeveria qëndron indiferente

20:02 | 10 Mars 2015
Arbresh.info

Nesër bëhen një javë që kur të gjithë gjyqtarët e Gjykatave Themelore të Kosovës kanë hyrë në grevë duke kërkuar rritje të pagave.

Zenel Leku, gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, thotë se nesër bëhet një javë që kur ka filluar greva e gjyqtarëve.

Sipas tij kërkesa e gjyqtarëve për rritje pagash rrjedh nga viti i kaluar kur Kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi kishte marrë vendim për rritjen e pagave për të gjitha kategoritë që paguhen nga buxheti i Kosovës. Por sipas tij në atë kohë ish-Kryeministri, pas katër ditësh pati marrë një vendim tjetër me të cilin kishte ndryshuar vendimin paraprak, me të cilin nga rritja e pagave ishin përjashtuar një kategori e zyrtarëve publik dhe në kuadër të kësaj kategorie hynin edhe gjyqtarët.

Leku tha se në atë kohë gjyqtarët patën shprehur pakënaqësi për këtë vendim dhe përmes shoqatës së gjyqtarëve ishin drejtuar në Këshillit Gjyqësor me kërkesë për ndryshim të këtij vendimi përkatësisht për rritjen e pagave. Sipas tij në atë kohë Shoqata e gjyqtarëve, KGJK-ja dhe ministri i Drejtësisë kishin arritur një marrëveshje që gjyqtarët të kompensohen në emër të rrezikshmërisë në një shumë prej 200 eurosh, dhe për këtë kishin marrë premtime se do të realizohej kjo shumë, por kjo nuk kishte ndodhur asnjëherë duke u neglizhuar nga institucionet përkatëse.

Leku tha se më 29 janar të këtij viti, kishin bërë një kërkesë të re, rritja e pagës për 25 përqind ose realizimi i shumës për 200 euro në emër të rrezikshmërisë që ishte premtuar vitin paraprak, por prapë nuk kishin gjetur mirëkuptim dhe kishin vendosur të hyjnë në grevë.

“Nuk kemi gjetur mirëkuptim, prandaj kemi hyrë në grevë. Por, për habi nuk ka një reagim as të qeverisë shumë është neglizhua qe 1 javë gjyqësori me hy në grevë është jashtëzakonisht e rëndë për një vend, pasojat janë shumë të mëdha kur dihet më shumë se 90 % të gjyqtarëve janë në grevë dhe gjykatat nuk punojnë”, tha Leku.

Ai thotë se gjyqtarët janë shumë të vendosur në realizimin e këtyre kërkesave, dhe kjo vendosmëri e tyre do të vazhdojë deri në realizimin e tyre.

Ndërkaq, edhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë , Imer Beka thotë se të ketë dëgjuar se edhe Shoqata e Prokurorëve të Kosovës ka marrë një qëndrim duke e përkrahur grevën e gjyqtarëve.

Sipas tij është shqetësuese se askush nga institucionet nuk po merren me këtë çështje, pasi grevat në gjyqësorë nuk janë të zakonshme.

Në anën tjetër, avokati Nikë Shala shprehet se greva po ndikon negativisht pasi të gjitha seancat gjyqësore të cilat kanë qenë të caktuara si ndaj të akuzuarve që mbrohen në liri dhe atyre që ndodhen në paraburgim, për fat të keq këto lëndë janë shtyrë në kohë të pacaktuar. Por ai shpreson se organet relevante do t’i kenë parasysh të gjitha këto kërkesa dhe në një afat dhe kohë të arsyeshme do të vendosin në mënyrë meritore.

Ai po ashtu nënvizon se ka pasur klientë të cilët i mbron, ku lëndët e tyre janë shtyrë dhe palët janë të pakënaqura dhe me ankesa të shumta.

Ndryshe kërkesat e gjyqtarëve janë rritja e pagave për 25 % ose realizimin e shtesës në shumën e premtuar prej 200 euro në emër të rrezikshmërisë. /Kosovapress/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme