Gjilan: Konfiskohen kallashnikovë, shpata dhe topuzë

18:44 | 19 Maj 2015
M. A.

Gjatë bastisjes së një shtëpie në lagjen e Muhaxherëve në fshatin Livoq i Epërm të komunës së Gjilanit, Policia e Kosovës ka konfiskuar një numër të madh armësh.

Sipas njoftimit të policisë, sot në mëngjes me urdhër të gjykatësit, njësitet hetuese të stacionit Policor në Gjilan, pas sigurimit të informatave të besueshme përmes rrugëve operative, kanë bastisur shtëpinë e të dyshuarit D.H. rreth 30 vjeç, nën dyshimin për posedim të armëve të zjarrit.

Në shtëpinë e të dyshuarit gjatë bastisjes janë gjetur dhe konfiskuar nga Policia e Kosovës një pushkë AK-47, një pushkë gjysmë automatike, një pistoletë prodhim Gjerman ME9, dy karikatorë të zbrazët, katër fishekë 7.62 mm dhe një karikator i pistoletës i zbrazët, raporton kallxo.com.

Gjithashtu janë konfiskuar edhe sende të tjera më interesante. Këtu bëjnë pjesë një maskë gazi, katër fatrolla thike, dy fatrolla të shufrës, një shufër metalike, 11 thika të llojeve të ndryshme, dy shpata dhe një yll metalik, një shufër e gomës, dy bateri meglite, dy shkopinj bejzbolli, një gjyle, katër palë dylbi të llojeve të ndryshme.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, departamenti për Krime të Rënda, i dyshuari ndalohet për 48 orë në Qendrën e Ndalimit në Gjilan. Rasti do të procedohet në gjykatë.

Shpërndaje në rrjete sociale