Google ADS

Gjatë 7 vjetëve pavarësi, Kosovën e braktisën 120 mijë persona

19:41 | 8 Mars 2015
Arbresh.info

Organizata jo-qeveritare “Iniciativa për Veprim Social- (IVS)”, ka bërë një hulumtim se pse Kosovën po e braktisin qytetarët e saj.

Ndonëse kjo organizatë nuk ka arritur që të publikojë statistika për numrin e atyre që kanë lëshuar Kosovën në muajt e fundit, në hulumtim thuhet se prej vitit 2008 deri në 2014, nga vendi kanë ikur më shumë se 120 mijë persona.
E këto të dhëna janë nxjerr nga Eurostati dhe UNHCR. 90 mijë qytetarë të Kosovës kanë kërkuar azil në vendet e BE-së, ndërsa pjesa tjetër në Kanada dhe SHBA. Por, sipas këtij hulumtimi, ky numër nuk është plotësisht i saktë, pasi që shumë kosovarë paraqiten në zyrat e imigracionit, me pasaporta serbe.

Duke iu referuar valës së migrimeve të fundit, nga anketat e zhvilluara në qendrat më të mëdha të Kosovës, IVS-ja njofton se në pyetjen se pse emigrojnë kosovarët drejt vendeve të BE-së. Statistikat më të larta janë për shkaqe ekonomike, që nënkupton nivel i ulët i qëndrueshmërisë ekonomike të vendit, vend me jo stabilitet ekonomik, pra që migrojnë për të përmirësuar standardin e jetesës, duke pretenduar që do të fitojnë një punë me siguri afatgjate, me kushte dhe pagë më të mirë se sa në Kosovë.

Por, nuk është vetëm aspekti ekonomik, të cilin 69.66% e të anketuarve e kanë listuar si faktorin kryesor të migrimit, por janë edhe aspekte të tjera që ndikojnë në migrim. Zhgënjimi (mosbesimi) në institucionet e vendit 54%, është zgjedhur si aspekti i dytë. Ndërkaq, mungesa e perspektivës për një jetë më të mirë, 41% e të anketuarve e kanë listuar si faktor të migrimit ilegal. Pas këtyre vijnë arsyet sociale 26.33%, arsyet politike 27.66%.
Hulumtimi nxjerr të dhëna që qytetarët e komunave, të cilët më së shumti e përkrahin emigracionin e kosovarëve në drejtim të vendeve të BE-së janë kryesisht, banorët e komunës së Lipjanit me 60%, të Vushtrrisë me 56.70%, të Gjilanit me 45.70% dhe banorët e Prishtinës me 23.26%. Ndërsa, komunat e mbetura, përafërsisht prej 8% deri në 20% e përkrahin emigracionin e kosovarëve.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme