Gjakova ndan 60 mijë euro për klubet dhe garat sportive

18:23 | 15 Prill 2016
M. A.

Bordi i drejtorëve të komunës së Gjakovës, i kryesuar nga kryetarja e komunës Mimoza Kusari – Lila, ka miratuar sot ndarjen e 60 mijë eurove për subvencionimin e klubeve sportive, si dhe turneve e garave ndërkombëtare në sektorin e sportit.

Ky vendim i cili është mbështetur në unanimitet, është arsyetuar me vullnetin dhe dëshirën për përmirësimin dhe zhvillimin e sportit në komunën e Gjakovës.

Sipas një komuniukate të Komunës së Gjakovës, Bordi i Drejtorëve e ka themeluar sot edhe një komision komunal, të përbërë nga disa prej drejtorëve të drejtorive komunale, të cilët do të merren drejtpërsëdrejti me mbarëvajtjen e Kampionatit Evropian të Shahut, si një aktivitet me rëndësi të madhe jo vetëm sportive, që do të mbahet prej 11 deri me 24 maj në Gjakovë.

Në këtë mbledhje është diskutuar dhe miratuar kërkesa e Drejtorisë për Arsim për intervenimin me mjete shtesë për përfundimin e projektit në ndërtimin e aneksit të Shkollës Fillore “ Mustafa Bakija”, në Gjakovë, në shumë prej mbi 8 mijë euro, ndërsa projekti në tërësi ka kushtuar afro 50 mijë euro.

Nga ana e Drejtorisë së Bujqësi së janë paraqitur tri kërkesa, që kanë të bëjnë me përkrahjen e sektorëve të bujqësisë si bletarisë, blegtorisë, si dhe përkrahja dhe subvencionimi i organizimit të ditëve të agrobiznesit “ Kosova 2016”. Për këto tri çështje u dha përkrahja e të gjithë pjesëmarrësve të kësaj mbledhje në krye me kryetaren Kusari-Lila, dhe u aprovua shuma prej 5 mijë e 500 euro për realizimin e aktiviteteve në fjalë.

Bordi i Drejtorëve ka miratuar edhe kërkesën e Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik, lidhur me pjesëmarrjen e Komunës së Gjakovës dhe bizneseve të komunës në “Panairin e turizmit 2016”, që organizohet në Prishtinë.

Bordi i Drejtorëve ka miratuar edhe disa pika të tjera të rendit të ditës të cilat kanë qenë të lidhura me shënimin e ditës së Evropës, si dhe është aprovuar kërkesën e banorëve të lagjes “Mulla Jusufi”, të cilët kanë kërkuar mbështetje institucionale për ngritjen e një lapidari përkujtues për masakrën e 7 majit tek Ura e Taliqit, ku janë vrarë e masakruar 26 qytetarë të Gjakovës.

Shpërndaje në rrjete sociale