Gjakova me trenin e trashëgimisë në Ditët e Trashëgimisë Evropiane 2015

18:25 | 5 Gusht 2015
M. A.

Bordi i Drejtorëve të Komunës së Gjakovës, nën kryesimin e kryetares Mimoza Kusari Lila, ka miratuar sot subvencionimin e projektit “Treni i Trashëgimisë 2015”, projekt ky i cili këtë vit do të përfshijë edhe Gjakovën dhe planifikohet të fillojë nga 19 shtator dhe do të zgjasë deri më 4 tetor të këtij viti, njoftoi shërbimi komunal i informimit.

Drejtoresha e Zhvillimit Ekonomikm, Silvana Domi, ka thënë se ky projekt do t’u ofrojë mundësinë të interesuarve për një udhëtim – vizita të monumenteve të trashëgimisë kulturore dhe natyrore me fokus të veçantë në komunat e Pejës, Gjakovës dhe Deçanit gjatë Ditëve të Trashëgimisë Evropiane 2015 në Kosovë.

Këto vizita në Gjakovë do të bëhen të dielave, ku bartja e vizitorëve do të bëhet nga stacioni i trenit në Rakovinë për në Gjakovë dhe anasjelltas, ndërsa vizitorët do të kenë mundësinë të vizitojnë Xhaminë e Hadumit, Muzeun Etnologjik, Hanin e Haraqisë, Kishën Ortodokse dhe Çarshinë e Madhe.

Për këtë miratim, kryetarja Kusari Lila është shprehur se është një projekt në përputhshmëri të plotë me programin komunal për promovimin e turizmit dhe të artizanateve në Komunën e Gjakovës.

Në mbledhjen e parë për muajin gusht, Bordi i Drejtorëve, me kërkesën e Drejtorisë Komunale për Arsim, ka formuar komisionin ad-hoc për shqyrtimin e ankesave lidhur me ndarjen e bursave.

Po ashtu, nga Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik është formuar komisioni për shqyrtimin e ankesave të aplikacioneve në skemën e granteve, e cila ka përfunduar me ditën e sotme.

Nga Drejtoria për Buxhet dhe Financa është shqyrtuar kërkesa për verifikimin e gjendjes në terren të shfrytëzimit të pronave komunale, ku njëkohësisht është formuar edhe një komision i cili përfundimisht do të bëjë këtë verifikim dhe do të prezantojë të dhënat në fund të muajit shtator, të cilat do të përcillen në mbledhjen e Asamblesë Komunale të Kuvendit të Gjakovës, njoftoi komuna.

Shpërndaje në rrjete sociale