Gaxherri: Nuk rrëzohet qeveria me protesta dhe dhunë

18:43 | 8 Janar 2016
M. A.

Në vendet demokratike nuk rrëzohet Qeveria me protesta dhe me dhunë, ka thënë deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besa Gaxherri, duke komentuar në Info Magazine protestën që pritet të mbahet nesër nga Opozita, për të cilën anëtarja e LDK-së thotë se nuk kishte asnjëherë kauzë.

“Jemi të hapur që bashkë me Opozitën ta hartojmë statutin së bashku. Opozita s’ka pas kauzë dhe nuk ka ende, është mirë që Opozita të mos luajë me tema të mëdha, të interesit nacional”.

“Duhet të kapen në kauza tjera që ka mjaft”, ka thënë Gaxherri, duke shtuar se “Opozita duhet të reflektojë, sepse çdo ditë e humbur është ditë e humbur e këtij vendi (Kosovës)”.

“Duhet të punojmë bashkë, pasi i vetmi shtet është Kosova që është i mbyllur në mënyrë hermetike prandaj kemi obligim t’i lëmë egot tona personale që qytetarëve t’iu hapim dyert e lëvizjes së lirë”.

“Në kuadër të dokumentit – të marrëveshjes – shkruan se statuti do të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese. Ne kemi kërkuar vazhdimisht që opozita të jap hapësirë, që t’i drejtohemi Gjykatës, që ta hartojmë bashkë statutin, por opozita nuk ka qenë e interesuar”, thotë Gaxherri.

Ajo pohon se “Opozita ka për detyrë që të kërkojë shkarkimin dhe të mos bashkëpunoj, por mjetet që kanë zgjedhur janë problematike”.

Shpërndaje në rrjete sociale