FSK-në e vizituan parlamentarët e rinj të Kosovës

15:30 | 8 Dhjetor 2016
M. A.

Brigada e Reagimit të Shpejt (BRSH) e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), në kazermën “Ushtarët e NATO-s” në Istog, ka pasur mysafirë për tre ditë një grup prej 29 përfaqësuesve të ‘Kuvendarëve të Rinj’, ku u përkujdes që të rinjtë të përjetojnë jetën ushtarake në kazermë.

Gjatë kësaj periudhe këta të rinj janë familjarizuar dhe kanë praktikuar disa nga detyrat thelbësore të FSK-së.

Sipas plan programit të përgatitur nga BRSH ata kanë praktikuar aktivitete kryesore të një dite të zakonshme në FSK, duke filluar nga: ngritja e Flamurit, ushtrimet fizike, histori ushtarake, njoftimin mbi misionin, strukturën dhe detyrat e FSK-së, rregullore rreshtore, njoftimi me armë, vlerat ushtarake, aktivitete sportive, etj. Një pjesë tjetër e qëndrimit ka qenë testimi praktik i shkathtësive dhe aktivitete ku aplikohet puna ekipore.

Në ceremoninë përmbyllëse të këtij aktiviteti të rinjve ju ka fol Komandanti i Brigadës së Reagimit të Shpejtë, kolonel Xhevahir Geci, i cili ka falënderuar këta të rinj për gatishmërinë dhe vullnetin e tyre që të kalojnë këtë periudhë kohore prej tri ditësh së bashku me pjesëtarët e FSK-së dhe të përjetojnë edhe vet ndjenjën e jetës ushtarake.

Ai ka theksuar se “jeta e një ushtaraku ka sfidat dhe vështirësitë e saj dhe gjatë qëndrimit tuaj ju jeni ballafaquar shkurtimisht me disa prej tyre në mënyrë që të përjetoni vetë atë që ushtarët tanë tashmë e kanë jetë rutinë, duke ju rikujtuar se FSK është shtëpi e të rinjve të vendit tonë”.

Në përfundim të këtij aktiviteti komandanti i Brigadës për Reagim të Shpejtë (BRSH) kolonel Geci i ka dhuruar Kuvendit të te Rinjve të Kosovës emblemën e Brigadës së Reagimit të Shpejtë, ndërsa Kuvendi i të Rinjve për organizatorët e këtij aktiviteti ka ndarë mirënjohje.

Në fund të rinjtë janë ndarë shumë të impresionuar me aktivitete që zbatohen në BRSH dhe se kjo përvojë do jetë udhërrëfyes për ta në jetën e tyre personale dhe profesionale. Ata u shprehën të kënaqur me mundësinë e dhënë dhe shprehën dëshirën që kjo mundësi të u ofrohet edhe të tjerëve.

Kuvendi i të Rinjve të Kosovës (KRK) është organizatë rinore, e cila në thelb trajton interesin rinor.

Shpërndaje në rrjete sociale