Franca thotë se i takon Kosovës të aplikojë në Këshillin e Evropës, por kërkon “përmbajtje nga veprimet e njëanshme”

21:14 | 13 Maj 2022

Ambasada e Francës në Kosovë ka deklaruar se i takon Kosovës si shtet sovran që të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Në një komunikatë të ambasadës franceze në rrjetin social Facebook, thuhet se ardhmja e Kosovës është si anëtare e KiE.

“Vendimi për të aplikuar në Këshillin e Evropës i takon Kosovës si shtet sovran. E ardhmja e Kosovës është të bëhet anëtare e tij”, thotë ambasada franceze.

Më tej në deklaratë thuhet se “prioriteti aktual është rinisja e dialogut ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, i cili do të kontribuojë në afrimin e tyre evropian dhe në stabilizimin afatgjatë të Ballkanit”.

“Ne u bëjmë thirrje të dyja palëve që të angazhohen plotësisht në këtë drejtim dhe të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm që mund të nxisë tensione”, ka thënë ambasada franceze.

Më herët gjatë ditës, Pierre Corhard, ambasador i Francës në Beograd, ka thënë për “TV Nova” se Franca nuk i përkrah vendimet e njëanshme.

Minsitrja e Punëve të Jashtme dhe Diaspires, Donika Gërvalla, të enjten dorëzoi aplikimin për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës.

Këshilli i Evropës ka 46 shtete anëtare. Për pranim mjafton përkrahja e 31 shteteve. Shpresat për pranim janë shtuar pasi nga KE-ja u përjashtua Rusia.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara