Ferizaj me udhërrëfyes dhe buletin informues

14:48 | 11 Gusht 2015
M. A.

Komuna e Ferizajt ka promovuar të martën udhërrëfyesin për vizitorë dhe buletinin informativ njëmujor, dy dokumente siç u tha të rëndësishme me karakter informues.

Me këtë rast kreu i Ferizajt , Muharrem Svarqa, gjatë një konference për media tha se me këtë komuna ka për qëllim njoftimin e vizitorëve me pasuritë që ka Ferizaj, që nga objektet hoteliere, kulturore, muzeore, vlerat e gjurmimeve arkeologjike, si dhe shtigjet për qëndrim ditore dhe shëtitje.

Svarqa vuri në dukje se bëhet fjalë për një doracak që është realizuar falë një angazhimi vullnetar të dy punëtorëve të komunës.

“Ka qenë një projekt i ideuar më herët që të realizohet përmes buxhetit të komunës, ku kanë qenë të ndara 9 mijë euro, por që janë kursyer falë angazhimit të këtij personeli, të cilat mjetet do të destinohen dhe do të përdoren për qëllime tjera”, tha Svarqa.

Ai prezantoi edhe numrin e parë të buletinit informues, që ka të bëjë me pasqyrimin e të gjitha informatave, të gjitha zhvillimeve në komunën e Ferizajt brenda periudhës njëmujore.

“Këtë buletin do ta nxjerrim të përmuajshëm me qëllim që qytetarët e komunës së Ferizajt të njoftohen më të gjitha rrjedhat nëpër të cilat po kalojmë si qeverisje komunale dhe institucionet tona, duke pasur një pasqyrë reale edhe të investimeve por edhe të zhvillimeve nëpër të gjitha sektorët e komunës së Ferizajt”, tha Svarqa.

Drejtori i Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik dhe Turizëm, Enver Haliti, tha se bëhet fjalë për një projekt kapital që është paraparë edhe me buxhetin e kësaj Drejtorie.

“Po realizohet një projekt i planifikuar për këtë vit, është bërë një punë e mirë, besoj është një bazë shumë e mirë me mundësi përmirësimi. Brenda udhërrëfyesit ka informacione për të gjitha vendet që mund t’i vizitojnë turistët, por edhe bizneset të cilat i ka komuna e Ferizajt”, tha Haliti.

Informacione shtesë rreth këtyre dy dokumenteve paraqiti autori i tyre, Musli Berisha, duke thënë se ideja ka qenë që vizitorëve t’u ofrohen disa shënime dhe fotografi që do ta udhëzojnë atë për të marr një përfytyrim sa më të mirë për qytetin dhe komunën, për resurset e tij turistike, për kapacitetet e përafërta hoteliere, për vendet që ja vlejnë të vizitohen në Ferizaj.

“Natyrisht unë kam qenë i vetëdijshëm që nga fillimi se nuk do të bëj një punë të përkryer, por jam tash i bindur që kjo punë është më emirë që është bërë deri tash në kuptimin që për herë të parë i ofrohet një version i shkurtër një vizitori, një version sadokudo i përballueshëm, megjithëse i ka gjithsej 40 faqe, është paksa i ngarkueshëm, por i përballueshëm”, tha Berisha.

Këto dy dokumente informuese do t’u shpërndahen qytetarëve falas dhe do të vendosen nëpër pika të caktuara nëpër qytet.

Shpërndaje në rrjete sociale