Ferati: Ahtisari na obligoi të bëjmë Komunë me tri katunde

16:48 | 30 Prill 2015
M. A.

Ish-ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, i cili ka qenë pjesë e formimit të komunave të reja serbe, ka pranuar se me pakon e Ahtisarit ka qenë i detyruar për të krijuar komunë nga tri katunde, megjithatë thotë se ato kurrë nuk do të bëhen komuna.

Ai këto komente i bëri në komisionin për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, ku u zgjodh kryesues i grupit punues për monitorimin e ligjit për Kufijtë Administrativ Komunal, ndërsa Shqipe Pantina, kryesuese për monitorim të ligjit për Organizatat Joqeveritare.

Kurse, Xhevahire Izmakun u zgjodh si kryesuese e grupit punues për monitorim të ligjit për Administratën Shtetërore, ndërsa Shqipe Pantina kryesuese për monitorim të ligjit për Organizatat Joqeveritare.

Gjatë kësaj mbledhje, Sadri Ferati propozoi që së bashku me shoqërinë civile dhe organizata ndërkombëtare të monitorojnë ligjin për Vetëqeverisje Lokale.

“Kanë filluar të nxjerrën komuna nga gjepi, dikush ka premtuar komuna majtas, dikush djathtas, ne e kemi  ato që nuk kemi pas qare me pakon e Ahtisarin e di unë kur tri katunde i kemi bo komunë, kurrë komunë s’do të bëhen por nuk kemi pas qare, tash me fillu me prish sistemin edhe për qejf tu vrapu pas votave…prandaj ne si komision  t’i paraprimë me një analizë ku është Kosovë dhe regjioni sa i përket reformës në pushtetin lokal“, ka thënë ai.

Sadri Ferati tha se duhet të kemi kujdes në monitorimin e organizatave dhe komunave.

“Nuk është qëllimi im të shkoj dhe t’i rregullojë punët, duket vetëm me pa sa po zbatohet ligji në regjistrim, kontroll, auditorin, dihet çka është detyra jonë, jo tash me shku dhe me shikuar çka i kanë punët grupet e interesit dhe me politizu komplet shoqërinë, prandaj edhe te rasti i parë të gjuhet duhet me pas kujdes, askujt nuk ia kufizojë sepse nuk e kam atë drejt si i qaset problemit, është pa mua, me mua me problematizu pse nuk shkruan në dokumente në Gllogovc serbisht me mua nuk e bënë, unë po thërras në qasje se çka po duam ”, tha Ferati.

E Xhevahire Izmaku nga PDK u shpreh se për secilin ligj që monitorohet të jetë nga një bartës i atij grupi punues.

“Propozimi im është me shku për secilin grup punues me pas një bartës të punës për çështje të dinamikës, mirëpo mos me qenë për të gjithë por pjesëmarrja me qenë për të gjithë ”, shtoi Izmaku.

Ndërkaq, Shqipe Pantina nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, tha se mbledhjen e ardhshme të diskutohet raporti vjetor i Radio Televizionit të Kosovës.

Në këtë mbledhje, anëtarët e pranishëm të këtij komisioni u pajtuan që para se të fillohet me monitorim të ligjeve të organizojnë një tryezë, ku pritet të diskutohet rreth mënyrës së monitorimit të ligjeve.

Në mbledhjen e ardhshme të këtij komisioni pritet që të vendosen anëtarët e grupeve punuese për secilin ligj që do të monitorohet.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme