Tash e sa ditë qytetarët e Kamenicës janë duke u përballur me probleme me ujin për pije. Për më tepër, ujërat e zeza të cilat mblidhen në këtë komunë po shkarkohen në lumin Krivareka i cili gjendet në mes të fshatit Koretin të kësaj komune. Era kundërmuese në lumin e Koretinit po ngujon banorët brenda shtëpive.
Për këtë banorët e këtij fshati janë duke protestuar tash e sa ditë.
Në një prononcim dhënë për arbresh.info, shef i grupit të asamblistëve të VV-së në Komunën e Kamenicës, Afrim Dervishi, thotë se burimi i kësaj ndotje që kalon përmes lumit të fshatit Koretin, po kalon në helmim dhe e pamundëson jetën e banorëve.
“Ne si qytetarë të Koretinit dhe aktivist kemi ngritë shqetësimin tonë në vazhdimësi, edhe para meje të zgjedhurit në asamblenë komunale e kanë ngrit shqetësimin në forume të ndryshme, për gjendjen alarmante të ndotjes së lumit që kalon përmes fshatit. Burimi i krejt kësaj ndotje që është edhe në nivelin e helmimit është nga ujerat e zeza që derdhën mbi fshat, në lumin e fshatit dhe që kalon përmes fshatit. Aty derdhën krejt ujërat e zeza të qytetit dhe të Berivojcës, kjo në Koretin e bënë të pamundur sot jetën”, thotë Dervishi.
Ai thotë se kanë organizuar edhe protestë për zgjedhjen e këtij problemi.
“Shumica e puseve të familjarëve janë afër lumit janë të rrezikuara nga ky nivel i madh i ndotjes, ne kemi ngritë shqetësimet dhe jemi organizuar si qytetarë të protestojmë deri në zgjidhjen e këtij problemi. Nga e hëna jemi vazhdimisht në proteste dhe jemi në analiza dhe organizime dhe duke mëndu se si kjo përfundimisht të na hiqet nga fshati”, thotë Dervishi.
Ndërsa sa i përket ankesave të cilat i kanë parashtruar, Dervishi thotë se ashtu si kryetarët e tjerë edhe Qëndron Kastrati vetëm po shkarkohen nga përgjegjësia, por nuk kanë seriozitet ta zgjidhin këtë problem që po i shkaktohet fshatit Koretin.
“Edhe Qëndron Kastrati, por edhe kryetarët para tij maksimumin e angazhimeve që e kanë pas kanë qenë me u shkarkua nga përgjegjësia dhe jo me e zgjidh problemin, ka kuptim që aj e bënë një shkresë ose ndonjë lutje, por asnjëherë në nivelin e seriozitetit për me e zgjidh problemin. Përderisa ai publikon projekte milionëshe për në infrastrukturë, në sheshe, nuk ka asnjë angazhim serioz për me e largu gjithë këtë të keqe që po na shkaktohet neve në Koretin”, deklaron Dervishi.
Ndotja dhe aroma e cila vije nga ujerat e zeza, po bëhet e papërballueshme për banorët e këtij fshati
Një banorë nga Koretini, Beqir Klaiqi, thotë se ky problem ka ekzistuar gjithmonë, por kohëve të fundit i është shtuar edhe aroma e keqe.
“Këtë lum e mbaj mend gjithmonë, ka pas probleme shumë me këtë lum, kohën e fundit kemi problem me aromën, pasi po vije nga ujerat e zeza të Kamenicës. Jemi të tmerruar. Ka pas grubetqarë që janë larguar për shkak të aromës së keqe. Kemi pasë dy ditë protesta, mirëpo nuk e di sa na realizohet kjo punë”, tha Klaiqi.
E nga problemet që ka me fytin, Gani Robelli, nga Koretini, e ka të pamundur të dal jashtë nga aroma e keqe e ujerave të zeza.
Ai gjithashtu tregoi për arbresh.info se asnjëherë nuk e kanë shfrytëzuar këtë ujë për pije.
“Shumë afër e kam lumin, prej Kamenicës ujerat e zeza na janë grumbulluar këtu, me mujt me i largu se po na pengon shumë, nuk guxojmë as me i hap derëtarët. Katundi janë dal në protestë dy ditë, unë kam qenë të mjeku s’kam mujt me dal. Qe pese vite marrim ujë në Kikë, nuk e përdorim këtë ujë hiç sepse nuk guxojmë me e pi. Unë për vete nuk guxojë të dal shumë në katund”, tha ai.
E në komunën e Kamenicës thonë se kanë marr masat e duhura për këtë problem, dhe se janë duke kërkuar intervenim nga institucionet përkatëse.
Kryetari i kësaj komune, Qëndron Kastrati në një prononcim për arbresh.info, thotë se kjo vije si pasojë e kanalizimeve të Kamenicës të cilat derdhen në lumin e Koretinit.
“Janë dy çështje që vijnë nga i njëjti problem apo i njëjti shkak, para disa ditë në komunën e Kamenicës kemi pasur ujë të kontaminuar dhe fati që nuk ka pësu askush dhe që kanë ndërhy institucionet. Kjo është pasojë e kanalizimeve që derdhen në lumenj ku i njëjti problem është në fshatin e Koretinit”, është shprehur Kastrati.
Kastrati shton se kanë kërkuar edhe nga policia dhe prokuroria që të zhvillohen hetime rreth këtij rasti, pasi që në këtë fshat po krijohet një ambient i paqëndrueshëm.
“Ne kemi kërkuar edhe nga prokuroria edhe nga Policia që më zhvillu hetime në këtë rast sepse është shkaktuar një rrezik i shëndetit. Në koretin është duke u shkaktu një aromë një ambient i paqëndrueshëm ku në ndërkohë mundet me u përkap baktere viruse”, deklaron Kastrati.
E sa i përket zgjidhjes së kësaj çështje kryetari Kastrati thotë se duhet të bashkëpunim me Komunën e Ranillukut, e cila vlen në një shumë deri në 20 milionë euro, e që sipas tij është e papërballueshme për komunën.
“Për me e zgjidhe krejt këtë çështje ne duhet si komunë e Kamenicës dhe e Ranillukut me vepru së bashku në vlerë prej 15 deri në 20 milionë euro, këtë Komuna e Kamenicës nuk ka mundësi me e përballu vetë po besoj që Qeveria Kosovës”, thotë Kastrati.
Kastrati gjithashtu tha se janë në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë për sanimin e problemit.
“Ne aktualisht jemi në kontakt me MMPH-në dhe me tjerat që me e bë një zgjidhje të përkohshme deri te zgjidhja e madhe e trajtimit të ujerave. Jam duke kontaktuar me Ministrin Matoshi, për me pa mundësin se si mundemi me e bë një zgjidhje deri të trajtohet çështja e rregullimit të urjave të zeza në Komunën tonë”, shprehet Kastrati
Lumi Krivareka kalon nëpër qytet dhe në fshatrat Berivojcë, Koretin dhe Topanicë./E.Haxhiu/arbresh.info/
Paralajmërimi i ambasadës së SHBA-së, MIA: S’ka informacione...
“Do ngremë kompaninë publike për naftën”, Rama: Do të futemi...
48-vjeçari shqiptar dënohet me 25 vjet burg për trafikim dro...
Oferta të ndryshme për Lewandowskin, ndër to edhe Barça
Furnizoi me naftë avionët amerikanë, Irani paralajmëron Bull...
Familjarët mbushin gjykatën në Greqi për tragjedinë e rëndë ...