Enver Peci në krye të Gjykatës Supreme

14:57 | 6 Mars 2017
Gita

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), në takimin e së hënës ka zgjedhur për kryetar të Gjykatës Supreme të Kosovës, gjyqtarin Enver Peci. I njëjti mori 6 vota, nga 10 sa ishin gjithsej.

Në votim mori pjesë edhe anëtari i ri i KGJK-së i zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës, gjyqtari Qerim Fazlija.

Këtë gjykatë, Peci do ta drejtojë për shtatë vjet me radhë, për ta vazhduar punën e ish-kryetarit, Fejzullah Hasani, i cili ka qenë në krye të kësaj gjykate deri më 16 shkurt të këtij viti.

Ish-kryetari Hasani, kishte ofruar dorëheqjen e tij si gjyqtar i Gjykatës Supreme, një muaj para skadimit të mandatit të tij si kryetar i saj. Kjo dorëheqje kishe hyrë në fuqi ditën e largimit të tij nga funksioni i kryetarit.

Pjesë e garës  për kryetar të kësaj gjykate ishin edhe gjyqtarët, Valdete Daka, Nesrin Lushta dhe Erdogan Haxhibeqiri.

Ndryshe, Komisioni për Vlerësim dhe Intervistim të Kandidatëve për Kryetar të Gjykatës Supreme, në vendin e parë e kishte ranguar gjyqtaren Valdete Daka me gjithsej 90 pikë. Tutje, në vendin e dytë ky Komision e kishte renditur kandidatin Nesrin Lushta me 87 pikë, Enver Pecin me 85 pikë dhe në fund Erdogan Haxhibeqirin me 81 pikë.

Kryetari i Gjykatës Supreme zgjedhet konform nenit 108 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,  Ligjit nr. 03/L-223 për Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Rregullores nr.09/2016 për Procedurat e Zgjedhjes, Emërimit, Vlerësimit, Pezullimit dhe Shkarkimit të Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës, të ndryshuar me Rregulloren 14/2016 dhe 17/2016./ Betimipërdrejtësi/

 

Shpërndaje në rrjete sociale