EKSKLUZIVE| Kompania turke ‘Limak’, shqyrton tërheqjen nga Kosova

09:07 | 4 Shtator 2020
M. A.

Mbyllja e kufijve ajror me qëllim të parandalimit të përhapjes së virusit, i ka shkaktuar humbje të mëdha financiare, kompanisë turke ‘Limak’ që ka nën menaxhim Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Burime të arbresh.info brenda aeroportit, thonë se pronarët e kësaj kompania janë duke e menduar tërheqjen nga Kosova për shkak të humbjeve të mëdha.

Arbresh.info lidhur me këto informacione ka kërkuar një përgjigje zyrtare nga vetë kompania turke, por të njëjtit nuk i janë përgjigjur interesimit të portalit.

Por, se ka një zhvillim të tillë që çon drejt tërheqjes së “Limak” nga Aeroporti i Prishtinës e ka konfirmuar Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerim Kuqi, në një prononcim për arbresh.info.

Ai ka thënë se është njoftuar për një situatë të tillë në rrugë jozyrtare.

“Kam disa njoftime por jo zyrtare. Derisa nuk janë zyrtare nuk mund të them asgjë. Normalisht edhe ata kanë pasur problem të funksionimit në këtë gjendje kur dihet se aeroporti nuk ka funksionu dhe kanë pasur probleme ekonomike si çdo kompani tjetër”, ka thënë Kuqi.

Megjithatë Kuqi thotë se tashmë pas lirimit të masave dhe kthimit të fluturimeve, ‘Limak’ ka përmirësim të përformancës financiare.

“Kuptohet se Limaku është kompani private dhe ka nevojë për mjete operuese të kompanisë. Por si duket tani janë në një gjendje më të mirë me funksionimin dhe mundësinë e punës në aeroport”, ka përfunduar ministri Zhvillimit Ekonomik.

Ndërkohë një përgjigje s’kanë pasur nga zyra e Hotit, meqë kryeministri ndodhet në Washington për bisedimet me Serbinë.

“Nuk mund të jap përgjigje pa ardh Kryeministri në Kosovë”, ka thënë Xhavit Beqiri nga Zyra e Kryeministrit.

E ekonomisti, Mustafë Kadriaj, thotë se masat e marra nga pandemia iu ka ndalur orën shumë bizneseve në vend. Sipas tij shteti duhet tua zgjas dorën bizneseve përmes strategjisë së rimëkëmbjes.

“Duke qenë në përkrahje të bizneseve njëherit do rriten edhe të hyrat në arkën e shtetit e cila do krijon siguri si për biznesin vendor dhe investitorët e jashtëm”, ka deklaruar Kadriaj për arbresh.info.

Republika e Kosovës në fillimin e pandemisë COVID-19 kishte vendosur masa strikte duke e mbyllur në total ekonominë. Një situatë e tillë për gati tre muaj kishte shkaktuar humbje të mëdha për bizneset, dhe gjithashtu edhe për kompanitë e udhëtimit tokësor e ajror, meqë ishin mbyllur të gjithë kufijtë.

Ndërrimi i pushtetit në Kosovës ishte shoqëruar edhe me ndryshim masash. Pas ardhjes së Avdullah Hotit në krye të ekzekutivit ishte vendosur për një hapje totale me disa restriksione të lehta.

Nga Qeveria që drejton Hoti në vazhdimësi është thënë që mbyllja totale nuk është zgjidhje, ndërkohë janë premtuar miliona euro si përkrahje për bizneset të cilat kanë pësuar humbje të mëdha. Sipas statistikave të publikuara, Kosova si pasojë e pandemisë do të shkojë në humbje ekonomike deri në 5 %, ndërkohë në skenarin më të keq deri në 15 %./Mira Avdimetaj/ arbresh.info/