Edhe Lista Serbe e takoi Kallasin, i ankohet për “terror ndaj serbëve të Kosovës nga Albin Kurti”

09:51 | 23 Maj 2025
A Z

Anëtarët e Listës Serbe, të udhëhequr nga kryetari i kësaj partie Zlatan Elek, kanë zhvilluar sot një takim me përfaqësuesen e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas.

Takimi, sipas njoftimit të partisë, është mbajtur në zyrën e BE-së në Prishtinë.

Sipas njoftimit të LS-së, në këtë takim u diskutua për jetesën e serbëve në Kosovë.

Eleku ka shfrytëzuar rastin për t’iu ankuar Kallasit rreth, siç thuhet në njoftim, gjendjes së rëndë të jetës që serbët po e bëjnë në Kosovë.

“Ata po përjetojnë veprime të dhunshme nga regjimi i Albin Kurtit. Po ashtu, u theksua nevoja urgjente për deeskalim të tensioneve në veri të Kosovës dhe ndalimin e veprimeve njëanshme të Kurtit”, thuhet në njoftimin e LS-së.

Listës Serbe thuhet se gjithashtu kërkoi formimin e një ekipi ndërkombëtar juristësh për të analizuar bazën ligjore të ndjekjes penale të serbëve të dyshuar, të arrestuar dhe të burgosur në të gjithë Kosovën. Ata kërkuan gjithashtu një prani më të madhe të KFOR-it dhe një vazhdim të shpejtë të dialogut, i cili është mënyra e vetme për të zgjidhur çështjet e hapura. “Dhe jo përdorimi i forcës, siç ka vepruar Albin Kurti për muaj të tërë”, pretendon Lista Serbe.

Shpërndaje në rrjete sociale