Zgjedhjet parlamentare në Kosovë po zhvillohen sot, dhe Demokracia në Veprim (DnV) po monitoron mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në 500 vendvotime të përzgjedhura në bazë të mostrës përfaqësuese të rastësishme.
Demokracia në Veprim thekson se zgjedhjet parlamentare përbëjnë një moment kyç për demokracinë, duke u mundësuar qytetarëve të ushtrojnë të drejtën e tyre për të zgjedhur përfaqësuesit dhe për të ndikuar drejtimin politik të vendit. Kredibiliteti i këtij procesi varet nga transparenca, respektimi i ligjit dhe nga besimi se vota e çdo qytetari është e lirë dhe e barabartë.
Në këtë kontekst, vëzhgimi i pavarur i zgjedhjeve luan një rol të rëndësishëm në forcimin e besimit publik dhe në rritjen e llogaridhënies së të gjithë akterëve të përfshirë.
Demokracia në Veprim (DnV), si koalicion vendor i organizatave joqeveritare për vëzhgimin e zgjedhjeve, ka akredituar 500 vëzhgues statikë të cilët janë prezentë në 500 vendvotime të përzgjedhura në bazë të mostrës përfaqësuese të rastësishme.
“Vëzhguesit raportojnë mbi mbarëvajtjen e procesit zgjedhor gjatë gjithë ditës, duke përfshirë hapjen e vendvotimeve, procesin e votimit dhe përfundimin e numërimit të votave. Vëmendje e veçantë u kushtohet respektimit të procedurave të votimit dhe numërimit, garantimit të fshetësisë së votës dhe qasjes së barabartë për të gjithë qytetarët me të drejtë vote”, thekson Eugen Cakolli nga DnV.
Në tërë territorin e Kosovës janë 2,614 vendvotime, prej të cilave 2,557 të rregullta dhe 57 me kusht.
“Sipas të dhënave nga terreni, vetëm 3% e vendvotimeve u hapën me vonesë, kryesisht për shkak të mungesës së komisionerëve, ndërsa 2% e vendvotimeve nuk kishin vendosje adekuate të kabinave ose kamerave të votimit, kryesisht në komunat me shumicë serbe”, thekson Cakolli.
Qasja për personat me aftësi të kufizuara mbetet një sfidë, pasi 16% e Qendrave të Votimit nuk kanë infrastrukturë adekuate për këtë kategori. Materialet propagandistike të subjekteve politike janë raportuar pranë 3% të Qendrave të Votimit, ndërsa siguria e procesit është e garantuar nga Policia në 85% të vendvotimeve.
Sipas DnV-së, në këto zgjedhje, votuesit kanë të drejtë të votojnë deri në 10 kandidatë, por 8% e Qendrave të Votimit nuk kishin posterë informues për udhëzimin e votuesve, dhe 18% nuk kishin tavolina ndihmëse, më së shumti në rajonet e Ferizajt, Gjilanit dhe Pejës. Pjesëmarrja e grave në Këshillat e Vendvotimeve është ende e ulët, me vetëm dy anëtare gra në 75% të vendvotimeve.
Gjatë hapjes së vendvotimeve nuk janë raportuar incidente serioze, përveç dy rasteve me mungesë të energjisë elektrike që kanë vonuar fillimin e votimit.
Të drejtë vote kanë gjithsej 1,999,204 qytetarë të Kosovës, përfshirë 7,192 votues të rinj që pas zgjedhjeve lokale të 12 tetorit 2025 kanë mbushur 18 vjet. Pas procesit të votimit që u zhvillua dje në misionet diplomatike të Kosovës në 18 shtete, DnV pret që e njëjta atmosferë demokratike të ruhet edhe gjatë votimit në vend.
Metodologjia e vëzhgimit të DnV-së përfshin Numërimin Paralel të Votave (PVT), një metodë statistikore që mundëson vlerësimin e procesit të votimit dhe numërimit në ditën e zgjedhjeve, duke e aplikuar atë në nivel vendi përmes mostrës përfaqësuese të vendvotimeve.
Demokracia në Veprim fton të gjithë qytetarët të bëhen pjesë e procesit demokratik duke votuar lirshëm dhe duke respektuar rregullat e zgjedhjeve./rtk
Kryesuesi i KQZ-së takohet me ambasadorin britanik, e falënd...
Abdixhiku pas votimit: Duhet të largohemi nga kjo zymësi e p...
Anëtari i PDK-së në KQZ: Qendrat e votimit përballen me mung...
Kurti: Jemi në zgjedhje të parakohshme pikërish se u refuzua...
Veç 4 qytetarë kanë votuar në këtë komunë deri më tani
Albulena Haxhiu ushtron të drejtën e votës, fton qytetarët t...