Ukë Ibrahim Rugova, djali i Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, do të jetë pjesë e listës zgjedhore të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Këtë e bëri të ditur kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, gjatë vizitës së tij në Familjen Rugova, në 81-vjetorin e lindjes së Presidentit Rugova.
Abdixhiku tha se përfshirja e Ukës në garën zgjedhore është bërë me kërkesën dhe bekimin e Familjes Rugova.
Postimi i plotë:
Në ditëlindjen e Presidentit Rugova, pranova me nderimin më të madh kërkesën e Familjes Rugova që Ukë Ibrahim Rugova të jetë pjesë e listës sonë zgjedhore.
Sot, në 81-vjetorin e lindjes së arkitektit dhe prijësit tonë, vizitova zonjën Fana dhe Familjen Rugova. Në këtë vizitë zyrtarizuam dhe përfshirjen e Ukës në garën e radhës.
Ukë, të priftë e mbara në këtë garë.
Me zonjën Fana biseduam edhe për rrugën e filluar tre dekada më parë; për sakrificat e heshtura që e ndoqën; për vendosmërinë që nuk u thye asnjëherë, edhe kur Kosova ishte në udhëkryqin më të rrezikshëm të historisë së saj moderne. Dhe sot, kur shteti ynë përballet me sfida të reja, mesazhi i Rugovës mbetet po ai: forcë paqësore, përkushtim demokratik, orientim të pandryshuar drejt botës perëndimore.
Presidenti ka vetëm ditëlindje.
81 vite më parë, më 2 dhjetor 1944, lindi Ibrahim Rugova; njeriu që e ktheu ëndrrën e lirisë në projekt politik, që e ndërtoi shtetin e përjetshëm që kemi, dhe që e vendosi Kosovën në hartën e botës si çështje të drejtë, të arsyeshme e të domosdoshme.
Ai nuk ishte produkt i kohës së vet; ai ishte përpara kohës së vet.
Rugova lindi në një familje të përndjekur; i mbijetoi dhimbjes së hershme, humbjes së babait dhe gjyshit, represionit e varfërisë. Por nga ai sfond i rëndë doli njeriu më i qetë, më i butë dhe njëkohësisht më i pathyeshmi që kanë njohur shqiptarët në shekullin e fundit.
Nisi si studiues e intelektual. Shkolla e Istogut, e Pejës, doktoratura në Prishtinë, bashkë me studimet në Paris nën mbikëqyrjen e Roland Barthes – nuk i dhanë vetëm tituj akademikë, por formësuan mendjen që më vonë do ta projektonte Kosovën drejt Perëndimit në mënyrën më të pastër dhe më të guximshme.
Kur u bë thirrja e madhe e vitit ’89, ai e la letërsinë për t’u bërë mburojë e një kombi.
Nga aty lindi LDK-ja.
Dhe nga LDK-ja, lindi rruga e shtetformimit modern shqiptar në Kosovë.
Rruga e tij nuk ishte vetëm politikë. Ishte civilizim. Ishte mënyrë europiane e të menduarit. Ishte kulturë, edukim, diplomaci e urtësi. Ishte projekti i një Kosove që sot e gëzojmë të gjithë.
Sot, pas më shumë se tetë dekadave nga lindja e tij, ideja e Rugovës veçse po rritet. Sa herë Kosova kalon kriza, është qetësia e tij që kërkojmë. Sa herë humbasim orientim, është busulla e tij perëndimore që na rikthen në drejtim. Sa herë politika bie në zhurmë, është zëri i tij që na rikujton se shteti ndërtohet me dije, me argument dhe me durim.
Kjo është arsyeja pse Rugova ka vetëm ditëlindje.
Sepse drita e tij nuk fiket; historia e tij nuk harrohet; rruga e tij nuk tjetërsohet.
Në këtë ditëlindje, ne kujtojmë jo vetëm shqiprarin më të madh të kohërave; kujtojmë një drejtim, një projekt, një ëndërr. Kjo ëndërr na thërret edhe sot.
Kosova euroatlantike.
Kosova e paqes e stabilitetit
Kosova e miqësisë së përhershme me aleat.
Kosova e qytetarisë, dinjitetit dhe kulturës politike.
Kjo është trashëgimia e tij.
Dhe ky është zotimi ynë.
I paharruar përjetë, President./Arbresh.info
Liverpooli ka gati goditjen e parë për merkaton e janarit
Ky superjaht thuhet se është fundosur pak minuta pas daljes ...
Rreth 2.000 qytetarë të regjistruar si votues me postë ende ...
Ylli fiton në kryeqytet ndaj Borës
Mevlan Zeka i reagon publikisht FFK-së pasi ai nuk u shpall ...
Kurti: Nga 11 terminale doganore vetëm 1 ishte shtetërore, s...