Google ADS

Dita kur e gjithë flota gjermane u dorëzua te britanikët

19:53 | 5 Mars 2015
Arbresh.info

Dita e Armëpushimit kujtohet si dita kur Lufta e Parë Botërore mori fund, por për historianët e marinës, fitorja më e madhe e Britanisë erdhi 10 ditë më vonë. Operacioni ZZ ishte emri i koduar i dorëzimit të marinës famëkeqe gjermane.
Për ata që ishin dëshmitarë të “Der Tag”, ose ndryshe “Ditës”, gjithçka ishte një pamje që nuk do ta harrojnë kurrë – mbledhja më e madhe e anijeve luftarake që bota ka dëshmuar ndonjëherë. Ishte ende errësirë në grykëderdhjen e lumit Forth të Skocisë në Detin e Veriut, kur Flota e Madhe e Marinës Mbretërore filloi të ngrinte avull dhe një nga një u hodhën spirancat.
Format e mëdha të më shumë se 40 anijeve luftarake filluan të dukeshin në horizont, me kursin nga lindja. Teksa gjigantët e çelikut i drejtoheshin detit të hapur, më shumë se 150 anije të tjera luftarake iu bashkuan. Flota më e fuqishme që kishte lundruar ndonjëherë nga brigjet e Britanisë, po drejtohej për një përballje të fundit me armikun vdekjeprurës – flotën e lartë detare gjermane.
Fitorja ishte e plotë. Por nuk pati betejë. Pas katër vitesh rrugë qorre, kjo ishte dita kur Gjermania do t’i dorëzonte anijet e saj luftarake në duart e britanikëve, pa qëlluar as edhe një herë. Data ishte 21 nëntor 1918. Lufta e Parë Botërore kishte përfunduar 10 ditë më parë, por kjo do të ishte dita vendimtare në fitoren në det.
Pas negociatash të shumta, Gjermania kishte rënë dakord të dorëzonte flotën – të dytën më të madhe në botë pas Marinës Mbretërore – në duart e britanikëve. Asambleja e fuqishme që do të takohej me gjermanët ishte aq e madhe saqë nuk do të toleronte ndryshime planesh.
“Marina Mbretërore perceptoi diçka që të tjerët nuk e perceptuan. Ajo donte t’u tregonte gjermanëve se ata ishin mundur vërtet dhe se nuk kishin asnjë mundësi më të mirë sesa të dorëzonin flotën në duart e armikut”, shpjegon Andrew Choong, kurator në Muzeun e Marinës në Grinuiç. Operacioni ZZ pa të mblidheshin së bashku anijet më të fuqishme luftarake të historisë së marinës në një vend dhe në një ditë.
Ishte një pamje që ata që e panë nuk do ta harrojnë kurrë. Korrespondenti i “Times” që shihte gjithçka nga kuverta e anijes britanike “Mbretëresha Elizabeta”, ishte shumë i emocionuar: “Në historinë detare nuk ka ndodhur kurrë diçka kaq e madhe dhe e paharrueshme, të cilën pata privilegjin ta shoh sot. Ishte ‘parada’ e një flote të tërë dhe shënoi dëshminë e fundit dhe më të fortë të supremacisë së flotës britanike”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme