Diskutohet fuqizimi dhe reformimi i sektorit të inspektorateve

19:52 | 14 Gusht 2018
M. A.

Në qeverinë e Kosovës së bashku me Bankën Botërore dhe shoqërinë civile është diskutuar lidhur me fuqizimin dhe reformimin e sektorit të inspektorateve.

Reforma në fushën e inspektimeve shihet si e domosdoshme dhe për këtë është vendosur që Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe Zyra e Kryeministrit, Zyra për Planifikim Strategjik të mbaj rolin udhëheqës në këtë drejtim.

Njoftimi u bë publik nëpërmjet Facebookut nga Besnik Tahiri, Koordinator për Reforma në Qeverinë e Kosovës.

Shkrimi i plotë i Tahirit në Facebook:

Reformimi i sektorit të inspektorateve!

Sot, së bashku me Bankën Botërore si dhe akterë të shoqërisë civile diskutuam fuqizimin dhe reformimin e sektorit të inspektorateve, më në detaje për opsionet dhe modalitetet për zbatimin e reformave në fushën e inspektimeve.

Në sistemin e inspektorateve në Kosovë në detaje duhet të shqyrtohen çështjet që ndërlidhen me:

• Dyfishimet në mes të inspektorateve

• Kapacitetet dhe performanca e inspektorëve në teren

• Resurset dhe nevojat që inspeksionet duhet të pajisen

• Buxhetin për inspeksionet

• Shkëmbim e të dhënave në mes të inspektorateve

Bashkërisht vlerësuam se reforma në fushën e inspektimeve është e domosdoshme, sidomos duke pasur parasysh se ekziston nevoja për të koordinuar veprimet ndër-institucionale dhe të merren reformat tjera të iniciuara nga Qeveria e Kosovës në kuadër të reformës së administratës publike, përkatësisht ndërlidhja me procesin e racionalizimit të agjencive.

Në këtë aspekt më detajisht trajtuam:

• Pesë opsione të ndryshme për kompletimin e reformës së inspeksioneve

• Listën e trupave inspektuese që veprojnë në Kosovë në nivelin qendror (ekzistojnë 36 trupat inspektuese)

• Shqyrtimin e kornizës ligjore dhe rregullative (mbi 150 ligje dhe rregullore) që qeverisin me fushën e inspektimeve

Për këtë qëllim u dakorduam që Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe Zyra e Kryeministrit, Zyra për Planifikim Strategjik të mbaj rolin udhëheqës në këtë drejtim. Këto institucione, me mbështetjen e Bankës Botërore dhe përfshirjen e ekspertëve nga shoqëria civile do të përbëjnë një grup të ngushtë punues me qëllim të koordinimit të veprimeve të ardhshme të reformës.

Në fund falënderova të gjithë pjesëmarrësit për punën profesionale të bërë deri më tani, si dhe Bankën Botërore për mbështetjen e tyre në këtë proces.

BT

Shpërndaje në rrjete sociale