Disa biznese nuk zbatojnë rritjen e pagës minimale, paralajmërohen masa

20:45 | 3 Shkurt 2026
Q L

Vendimi për rritjen e pagës minimale në 425 euro, që duhej të zbatohej nga janari, për një pjesë të punonjësve ka mbetur vetëm zotim. Punonjësit teknikë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Klinë morën përsëri pagë prej 325 eurosh. Edhe shumë punonjës të sektorit privat nuk e morën pagën me rritje, ndërkohë që njohës të drejtësisë paralajmërojnë se bizneset mund të përballen me pasoja administrative nëse nuk e zbatojnë vendimin e qeverisë.

Pagën e janarit një pjese e punëtorëve në Kosovë nuk e morën me rritje, pavarësisht asaj që nga ky muaj është dashur të zbatohej ngritja minimale në 425 euro.

Punëtorët teknikë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Klinë për punën gjatë janarit u paguan 350 euro.

“Për momentin kemi kompaninë e parë në Kosovë që ka kryer pagesat dje, por pagesa nuk është bërë sipas vendimit të kryeministrit. Ne kemi reaguar. Punëtorët ishte dashur të marrin neto 396 euro, ndërsa kanë marrë 325 euro, që do të thotë se vendimi nuk është zbatuar. Kemi dhënë afat deri të hënën dhe, nëse pagesa nuk korrigjohet, do ta ndalim punën,” thotë Jusuf Azemi, kryetar i Federatës Sindikale të Punëtorëve Teknikë.

Federata Sindikale paralajmëron ndërmarrjen e masave sindikale në rast se punëtorët nuk paguhen sipas vendimit të ekzekutivit. Ndërkohë, përfaqësuesit e bizneseve kanë nënvizuar arsyet pse pagesat me rritjen e pagës minimale nuk janë realizuar.

“Vështirësitë më të mëdha për zbatimin e këtij vendimi paraqiten kryesisht te bizneset që kanë kontrata me shtetin, pasi ato janë të lidhura me çmime të përcaktuara dhe e kanë të pamundur rritjen e çmimit derisa kontrata është ende në fuqi. Në këtë rast, shteti, në momentin kur ka marrë vendimin për rritjen e pagës minimale, është dashur t’i ndryshojë kontratat me bizneset me të cilat bashkëpunon, veçanërisht me ato që merren me shërbime të pastrimit. Ne nuk kemi qenë kundër rritjes së pagës minimale”, deklaron Kushtrim Ahmeti nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë.

Ndërkohë, punonjësit e administratës publike vënë në pah se nuk janë shumë të ndikuar nga rritja e pagës minimale. Pagat e zyrtarëve publikë rregullohen me Ligj të Punës. Megjithatë, Sindikata e Administratës pret nga qeveria e ardhshme ta rrisë vlerën e koeficientit, që për momentin është 110 euro.

“Pagat e zyrtarëve publikë rregullohen me Ligjin për Pagat. Shërbyesit civilë nuk kanë pasur paga që do të ndikoheshin drejtpërdrejt nga paga minimale. Ne, si federatë, kërkojmë nga qeveria e ardhshme rritjen e vlerës së koeficientit, e cila aktualisht është 110 euro”, thekson Ali Gashi nga Sindikata e Administratës.

Njohës të drejtësisë potencojnë se vendimi është i detyrueshëm dhe moszbatimi i tij parasheh pasoja administrative.

“Në raste të tilla, ne konsiderojmë se për çdo biznes që nuk e zbaton vendimin, do të ketë pasoja administrative nga Administrata Tatimore e Kosovës, si dhe nga Inspektorati i Punës. Vlerësojmë se kontrolli i zbatimit të vendimit duhet të bëhet nga ATK-ja. Vendimi duhet të zbatohet pavarësisht rrjedhës paraprake të zbatimit të tij”, deklaron avokati Florim Shefqeti.

Një analizë e bërë nga Instituti GAP nxjerr në pah se nga rritja e pagës minimale pritet të përfitojnë drejtpërdrejt mbi 130 mijë punëtorë me orar të plotë.

Sektorët më të ndikuar nga kjo rritje përfshijnë industrinë e ushqimit dhe pijeve, tregtinë me pakicë, etj., ku përqendrimi i punëtorëve me paga më të ulëta është më i lartë./rtk