Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit: Asnjë person nuk është ndaluar gjatë ceremonisë në Kishë, nuk kemi njohuri për secilin vizitor

22:18 | 6 Prill 2025
E.G

Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit ka reaguar lidhur me arrestimin e 16 serbëve ku 12 prej tyre u arrestuan në Prizren.

Ministri në detyrë Sveçla, ndërkaq, pretendoi se 12 personat e ndaluar në Prizren, “po strehoheshin në Seminarin Ortodoks të Bogosllavisë”.

Lidhur me këtë, Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit  ka thënë se asnjë person nuk është ndaluar gjatë Seminarit.

“Asnjë person nuk është ndaluar sot në Seminarin e Kishës Ortodokse Serbe të Shën Kirilit dhe Metodit në Prizren. Policia e Kosovës nuk ka hyrë në ambientet e këtij institucioni fetar, e as nuk ka kontaktuar me ndonjë përfaqësues të tij. Gjatë ditës, Dioqeza mësoi nga burimet mediatike se disa serbë janë ndaluar, përfshirë 12 persona në Prizren, të cilët kishin kaluar natën e kaluar në pjesën e mysafirëve të Seminarit”thuhet në njoftim.

Tutje, thuhet se Manastiret, qendrat e pelegrinazhit dhe vetë Seminari, rregullisht presin vizitorë dhe pelegrinë që vijnë në Kosovë për të marrë pjesë në shërbime fetare dhe ngjarje të Kishës.

“Natyrisht, Kisha nuk mund të ketë njohuri të detajuar për secilin vizitor, pasi të gjithë ata që hyjnë në Kosovë nga Serbia e bëjnë këtë përmes pikave të kalimit të rregulluar administrativisht, nën kontrollin e Policisë së Kosovës dhe në përputhje me ligjet ekzistuese, të cilat garantojnë të drejtën për lëvizje të lirë dhe pjesëmarrje fetare”, thuhet mes të tjerash në njoftimin e kishës.

Më tej, bëhet e ditur se nga ata që kaluan natën në Seminar, vetëm dy persona — sipas të dhënave të Dioqezës — dyshohet se janë nën hetim nga autoritetet e Kosovës për aktivitete të ndaluara.“Këta persona nuk ishin të njohur personalisht për klerin apo stafin e Seminarit dhe, sikurse pelegrinët e tjerë, kishin qëndruar një natë para se të merrnin pjesë në Liturgjinë Hyjnore në Katedralen e Prizrenit. Ata më pas janë ndaluar në qytet, jashtë ambientit të Seminarit”,sqaron Dioqeza Rashkës dhe Prizrenit.

Sipas tyre, çdo sugjerim se këta persona kanë përdorur një “institucion fetar si mbulim dhe për të nxitur tensione ndëretnike dhe fetare në Kosovë, siç thuhet në komunikatën e sotme të Policisë së Kosovës, është plotësisht i pabazë, i papërgjegjshëm dhe i pambështetur në fakte”.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se me anë të një operacioni të përbashkët të organeve të sigurisë, më 5 dhe 6.04.2025, janë ndaluar 16 persona, në katër automjete me targa të Kragujevcit. Derisa, për katër prej tyre tha se janë oficerë aktivë të shërbimeve të sigurisë së Serbisë.

Sveçla bëri të ditur se sipas të dhënave fillestare, dyshohet se këto grupe “kishin për qëllim mbledhjen e informacioneve për caqe të mundshme, pasi janë gjetur dëshmi të ndërlidhjes me strukturat e inteligjencës ushtarake serbe si dhe me anëtarë të grupit terrorist të Banjskës”.

Ministri në detyrë, Xhelal Sveçla më tej tha se grupi i dytë, me 12 persona, është ndaluar në Prizren, teksa po strehoheshin në Seminarin Ortodoks të Bogosllavisë./Arbresh.info/

Edhe 12 persona të tjerë u ndaluan në Prizren, Sveçla: Në këtë grup ishin dy oficerë aktivë të shërbimeve të sigurisë serbe