Google ADS

Dinë Halilaj, rivarroset 16 vjet pas zhdukjes

18:46 | 9 Mars 2015
Arbresh.info

Janë rivarrosur eshtrat e identifikuara të Dinë Halilajt (1948) nga fshati Llapqevë.

Familjarët e pjesëmarrësit janë shprehur se edhe 16 vjet pas zhdukjes, dhimbja është e njëjtë.

“Është përjetim i rëndë, që ka zgjatur 16 vite për familjen Halilaj, në pritje të një lajmi për prindin e tyre, e Komuna e Malishevës, lirinë që e kemi, e ka larë me gjak dhe çdo vendbanim i yni ka derdhur shumë gjak për këtë liri”, ka deklaruar Kryetari i Malishevës, Ragip Begaj.

“Qeveria e vendit, është dashur të kushtëzoj negociatat me çështjen e të pagjeturve. Ne të gjallët kemi obligim ndaj të vrarëve dhe këtë ja bëjmë me dije edhe bashkësisë ndërkombëtare, se ne nuk i harrojmë të vrarët tanë”, tha Begaj.

Ndërsa, kryetari komisionit qeveritar për të pagjeturit, z.Prenk Gjetaj, tha se “edhe pas 16 viteve ne vazhdojmë të kemi plagë të hapura, pasi ende mungojnë shumë persona të zhdukur. Armiku tentoi që ta fsheh krimin, për ti ikur përgjegjësisë, duke i fshehur të vrarët, por kësaj përgjegjësie kurrë nuk do të mund ti ik. Dina dhe të tjerët, u vranë duke mbrojtur pragun e tyre”.

Për biografinë e Dinë Halilajt ka treguar drejtori i shkollës së fshatit, Aziz Avdiu, pasi Dinë Halilaj, ishte punëtor i kësaj shkolle.

“Në marsin e vitit 1999, banorët e Llapqevës, u detyruan të largohen nga fshati, dhe familja e Dinë Halilajt, shkoi në Krelan, ku me 2 prill, Dina u nda me forcë nga familja. Pas dy ditësh, edhe pse u lirua, Dina nuk pranoi ta lë djalin tij Naimin në duart e forcave paramilitare serbe, duke kërkuar që të qëndroj ai, ndërsa djali të lirohej. Por e morën Dinën dhe bashkë djalin, u vranë në masakrën e Krelanit, sikur edhe shumë bashkëfshatar tjerë të Llpaqevës, të cilët vazhdojnë të konsiderohen të zhdukur edhe sot”.

Në emër të familjes, pjesëmarrësit e shumtë në ceremoninë e varrimit, i ka falënderuar Sylë Halilaj.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme