Dialogu i tretë me Serbinë fillon pasi të zbatohen marrëveshjet e arritura

17:08 | 26 Tetor 2016
M. A.

Faza e tretë e dialogut me Serbinë do të fillojë pasi të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura me Serbinë në të kaluarën, ka deklaruar ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, në raportimin e saj në komisionin për Punë të Jashtme në Kuvend.

Ministrja Tahiri tha se kjo fazë e bisedimeve do të fillojë pasi të zbatohet marrëveshja për kodin telefonik, KOST-in etj.

Tahiri po ashtu bëri të ditur se temat që do të diskutohen në raundin e tretë të bisedimeve me Serbinë do të jetë Demarkacioni në mes të dy shteteve Kosovë-Serbi, si dhe reparacionet e luftës në kuadër të të cilës është: pamundësimi i Serbisë që ta pengoj Kosovën në procese ndërkombëtare, heqja e Kosovës nga Kushtetuta e Serbisë etj.

Ministrja Tahiri i ka njoftuar deputetët se këto tema janë dorëzuar në Bruksel në vitin 2014 me kërkesë të BE-së të cilat edhe do t’i përmbyllin bisedimet.Megjithatë, Tahiri është pyetur dhe kritikuar shumë rreth bisedimeve përgjatë gjithë periudhës prej se ka qenë negociatore e Kosovës me Serbinë.

Aida Dërguti ka thënë se më 18 mars 2015 Tahiri ka deklaruar se nuk do të hapet çështja e Asociacionit pa u shuar strukturat paralele, ndërkohë pas dy muajsh është arritur marrëveshja. Kurse Pal Lekaj e ka pyetur për të pagjeturit e luftës së fundit në Kosovë. Zafir Berisha nga Nisma  ka thënë se deri më tani populli është mashtruar me bisedime pasi është thënë ndryshe publikisht e dialogu ka pas rrjedhë tjetër.

Në mbledhjen e komisionit ka pas shumë debate rreth këtyre çështjeve duke u diskutuar edhe targat e automjeteve, dokumentet e Kosovës, etj.

Shpërndaje në rrjete sociale