Dëshmorët Elton Zherka dhe Përmet Vula nderohen më çmimin “Gjakovar i ndritur”

18:50 | 11 Gusht 2015
M. A.

Luftëtarët e UÇK-së Elton Zherka dhe Përmet Vula janë nderuar sot në Gjakovë me rastin e 17 vjetorit të rënies së tyre në betejën e Junikut.

Me këtë rast zyrtarë të Kuvendit komunal e veteranë të luftës kanë bërë homazhe pranë lapidarit të lirisë dhe tek varrezat e e qytetit pranë varreve të dëshmorëve Elton Zherka dhe Përmet Vula.

Për nder të 17 vjetorit të rënies së dëshmorëve në Junik komuna e Gjakovës organizoi akademi përkujtimore në shenjë nderimi të rënies heroike të Elton Zherkës dhe Përmet Vulës.

Lufta betejat dhe frontet ne Gjakove identifikohen me Eltonin dhe Përmetin, të cilët bashkuan forcat me luftëtarë të tjerë si Bekim Berisha ose Abeja dhe Bedri Shalën të cilët u shndërruan në simbol rezistence, tha e para e Gjakovës në fjalimin e saj para të pranishmëve.

“17 vite më parë kur lufta preku Kosovën, një imponim për ndërtimin e idealeve për një Kosovë të lirë dhe ndërtim të një shteti të pavarur, ishte rinia gjakovare ajo e cila mobilizoi masë për të shprehur gatishmërinë e tyre për sakrificë. Të vetëdijshëm që kishin të bënin me një pushtues që terrorizonte, kjo rini u shndërrua në rastet e para të orëve të hershme të krijimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Eltoni dhe Përmeti së bashku me bashkëluftëtarë, njihen si djemtë e asfaltit, si djemtë e vijave të para të frontit, si luftëtarë të pamposhtur”, tha kryetarja Kusari-Lila.

Disa nga emocionet e betejës së Junikut ka sjellë në akademi ish luftëtari Lekë Dobruna i cili ishte bashkë me ata që ranë para 17 vitesh.

“Junikun nuk do e lëshojmë, Eltoni a është mirë, më leni se eci vet, unazën Astritit, më ka marrë malli për Kosovaren”, ishin disa nga fjalët e heronjve të cituara nga Dobruna.

 

Në pamundësi për të qenë i pranishëm në akademi u lexua letra përshëndetëse e ish-komandanti i zonës operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj.

Për here të parë u ndanë çmimet post mortum “Gjakovar i ndritur”, për Elton Zherkën dhe Përmet Vulën. Gjithashtu në emër të komunës së Gjakovës me çmime post mortum kryetarja nderoi edhe figurën e Bekim Berishës ose Abeja dhe Bedri Shala.

Shpërndaje në rrjete sociale