Dërgimi i FSK-së në Gaza:, Ziv: Të lumtur që Kosova u përfshi në mision

23:27 | 2 Prill 2026
E.H

Ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv tha se janë të lumtur që Kosova është përfshirë në Bordin e Paqes dhe në misionin paqeruajtjes në Gaza.

Ajo theksoi se kanë mirëpritur vendimin e Qeverisë për t’u bërë pjesë e këtij misioni dhe shtoi se shumëçka varet nga Hamasi dhe si do të reagojë Hamasi ndaj vendeve të ndryshme që do të dërgojnë forcat në Rripin e Gazës.

“Fillimisht, ne jemi shumë të lumtur që Presidenti Trump e ka përfshirë Kosovën në Bordin e Paqes, në forcën paqeruajtëse. Mendoj se kjo është shumë e rëndësishme dhe mendoj se tregon një besim në aftësitë e Kosovës për të qenë partner në këtë proces në këtë kohë për të ndërtuar paqen në Lindjen e Mesme. Sërish, shumëçka varet nga Hamas dhe si do të reagojë Hamasi ndaj vendeve të ndryshme që do të dërgojnë forcat në Rripin e Gazës. Kosova është në mesin e pesë vendeve që do të dërgojë trupat brenda dhe duhet të shohim saktësisht se cili do të jetë mandati i secilit prej këtyre pesë vendeve brenda Rripit të Gazës. Kemi mirëpritur vendimin e Qeverisë që ka treguar vullnetin për këtë mision dhe me shpresë që përfundimisht të krijohet një Lindje e Mesme më e mirë.”, tha ajo për RTV21.

Ziv gjithashtu foli edhe për raportet mes Kosovës dhe Izraelit gjashtë vite pas njohjes së Kosovës nga ky shtet, duke thënë se do të punojnë edhe më shumë në thellimin e raporteve pas luftës.

“Ne natyrisht ishim shumë të lumtur që të vendosim marrëdhënie me Kosovën. Që nga vendosja e marrëdhënieve në vitin 2021, ne krijuam hapësira për këtë marrëdhënie, investuam shumë në përpjekje për të arritur marrëveshje të ndryshme të rëndësishme ndërmjet dy vendeve. Në mesin e marrëveshjeve të para ishte ajo e lëvizjes pa viza që mundësoi qytetarëve të Kosovës të vijnë në Izrael, pa viza dhe kjo ishte natyrisht shumë e rëndësishme për tregtinë, marrëdhënien kulturore, marrëdhënien akademike, për turizëm e të tjera. Ne kemi punuar që të krijojmë hapësira të gjera të marrëdhënieve tona në shumë fusha. Kemi punuar me akademinë, me kulturën, në marrëdhëniet ndërmjet njerëzve, kemi punuar në turizëm dhe shumë është bërë. Fatkeqësisht, këto dy vite e gjysmë të fundit kanë qenë shumë të vështira për ne dhe ne ishim të absorbuar në gjëra të tjera dhe ishim të detyruar të luftojmë. Por jam e sigurt se edhe përkundër luftës prapë kemi punuar në marrëdhëniet ndërmjet nesh, t’i fuqizojmë ato dhe do të ketë më shumë natyrisht pas luftës kur gjërat të qetësohen”, tha ajo.

Shpërndaje në rrjete sociale