Deputeti Naser Osmani dhe 7 zyrtarë të tjerë të AKP-së para gjykatës

13:41 | 20 Prill 2017
Gita

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, sot pritet të mbahet gjykimi ndaj ish-nënkryetarit të Bordit të Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), njëherit deputetit në Kuvendin e Kosovës, Naser Osmani, si dhe 7 të akuzuarve tjerë.

Në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur më 4 prill 2016, përderisa prokurori special  Admir  Shala  ka  lexuar  aktakuzën,  Naser  Osmani  dhe  Bahri  Shabani,  pjesë  e  bordit  të  drejtorëve  të  AKP-së,  nuk  u  deklaruan  lidhur  me  fajësinë,  me  arsyetimin  se  prezent duhet të jenë të gjithë anëtarët e bordit.  Shqyrtimi i dytë lidhur me këtë rast është caktuar më 6 maj 2016, por është shtyrë. Që nga 6 maji i vitit të kaluar e deri në fund të shkurtit 2017  nuk  është  mbajtur  asnjë  seancë  gjyqësore  lidhur  me  këtë  rast.

Rasti  kundër  Naser  Osmanit  kishte  filluar  sipas  kallëzimit  penal  të  parashtruar  nga  Policia  e  Kosovës  më  28  prill  2014.  Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më  30  prill  2014,  kishte  marr  aktvendim  për  fillimin  e  hetimeve,  kurse  kjo  Prokurori  më  16  shkurt  2016,  kishte  ngritur  aktakuzë  kundër deputetit Naser Osmani, nënkryetar i Bordit të Drejtorëve të AKP-së, Bahri Shabani, Shkëlzen Lluka, Naim Avdiu, Melita Ymeraga, Agron Kamberi, Adrian Kelmendi, Agim Deshishku, të gjithë zyrtarë në AKP.

Sipas aktakuzës së ngritur nga ana e PSRK-së, të akuzuarit Naser Osmani, si nënkryetar i Bordit të Drejtorëve të AKP-së, Bahri Shabani si drejtori i Bordit të AKP-së, Shkelzen Lluka si menaxher i AKP-së, Naim Avdiu si zv/drejtor menaxhues i AKP-së dhe Melita Ymeraga,  Ardian  Kelmendi,  Agron  Kamberaj  si  kryesues  të  Njësisë  së  Monitorimit  në  AKP  në  bashkëpunim  me  zyrtarët  e  tjerë  si  anëtarë  ndërkombëtar  të  AKP-së:  Lisa  Brodey, Mohammed Omran dhe Hubert Ëarsmann, i kanë kaluar kompetencat zyrtare me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë për vete ose për personin tjetër, në vlerë prej 5,400,000,00 euro. Ata akuzohen se kanë shkelur të drejtat e punëtorëve të kësaj ndërmarrje, me çka njëkohësisht i kanë shkaktuar dëm Ndërmarrjes Shoqërore “FAN” e përfaqësuar nga AKP-ja si dhe buxhetit të shtetit, lidhur me çështjen e Ndërmarrjes së Re “FAN-Podujevë”.

Kjo e fundit, ishte privatizuar në valën e 7-të të shitjes nga AKM-ja, ku ishte  blerë  me  çmim  prej  2,310,000  euro  nga  blerësi,  që  më  pas  i  akuzuari  Agim  Deshishku sipas kontratës së nënshkruar me zotimet e fituara të bëjë investime në vlerë prej 2,800,000 euro dhe të punësoj 236 punëtorë gjatë periudhës dy vjeçare. /Betimipërdrejtësi/

Shpërndaje në rrjete sociale