Deçani që dy ditë pa ujë të pijshëm

20:08 | 18 Maj 2015
M. A.

Uji i pijes dje dhe sot ka qenë problemi kryesor në Komunën e Deçanit. Nga ora 10 e mëngjesi e deri në orët e pasdites së 18 prillit, nuk kanë pasur ujë të pijes, thonë banorët. Kjo për shkak së janë dëmtuar gypat e ujësjellësit gjatë punimeve të hidrocentralit nga kompania “KelKos”

Këtë e ka bërë të ditur për Kallxo.com përmes telefonit, Nazmi Selmanaj, drejtori i ndërmarrjes “Ujësjellësi” në Deçan. Sipas tij, punimet e kësaj kompanie kanë dëmtuar gypat e ujësjellësit dhe kanë pamundësuar furnizimin me ujë.

“Kompania e cila është duke ndërtuar hidrocentralin gjatë punimeve ka dëmtuar gypat e ujësjellësit dhe nga ky dëm ka qenë i pamundur furnizimi me ujë”, tha Selmanaj.

Kallxo.com ka kontaktuar punonjës të kompanisë austriake “ Kelkos “ të cilët janë duke zhvilluar punimet në ndërtimin e hidrocentralit, por ata kanë thënë së nuk janë kompetent të flasin për këtë çështje. Sipas punëtorëve, pronarët e kompanisë gjenden në Austri. Ndërkaq kontakti me ta ka qenë i pamundur.

Për prishjen e gypave, Drejtori i ndërmarrjes publike Ujësjellësi në Deçan, thotë të jetë njoftuar nga banorët. Ai tha së kanë dalë ekipet në teren dhe po mundohen ta zgjidhin problemin.

“Ekipet kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe besoi që zgjidhja e problemit është në përfundim e sipër”, tha gjatë pasdites së sotme drejtori i “Ujësjellësit”.

Për shkak të mungesës së ujit, përveç nevojave elementare për banorët, sot gjatë tërë ditës në kafenetë e këtij qyteti ka qenë e pamundur edhe të pihet kafe. Madje, edhe ministri i Diasporës, Valon Murati, gjatë vizitës që i bëri sot kësaj komune, u përcoll nga nikoqirët pa pirë kafe, për shkak të mungesës së ujit.

Shpërndaje në rrjete sociale