Costa: Zgjedhjet në Kosovë mund të jenë kyçe për konsolidimin e reformave

European Council President Antonio Costa arrives for the second day of the G20 Leaders' Summit, in Johannesburg, South Africa, Sunday, Nov. 23, 2025. (Marco Longari/Pool Photo via AP)

21:40 | 17 Dhjetor 2025
R J

Presidenti i Këshillit të Evropës, Antonio Costa, ka thënë se zgjedhjet e ardhshme parlamentare të Kosovës mund të jenë një moment kyç për konsolidimin e reformave.

Këto komente, Costa i bëri pas përfundimit të samitit BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel.

“Sa i përket Kosovës, ne përshëndesim hapat e ndërmarrë për ndërtimin e besimit ndërmjet komuniteteve. Zgjedhjet e ardhshme parlamentare mund të jenë një moment kyç për konsolidimin e reformave dhe për një angazhim konstruktiv në rrugën e anëtarësimit evropian”, u shpreh Costa

Ai tha se takimi i sotëm paraqet rastin më të rëndësishëm të vitit për të rikonfirmuar forcën e marrëdhënieve mes BE-së dhe BP-së.

Kreu i KiE-së tha se samiti i sotëm ka dhënë një mesazh të qartë: “ne e mbështesim fuqishëm të ardhmen e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian”.

Ndër të tjera, Costa theksoi se “zgjerimi mbetet në qendër të objektivave tona të përbashkëta”.

Ai tha se kjo është zgjedhja e duhur për tri arsye:

“Së pari, nga perspektiva gjeopolitike. Një Bashkim Evropian i zgjeruar do të thotë një Evropë më e sigurt, më e fortë dhe më paqësore”.

“Së dyti, sepse zgjerimi forcon prosperitetin tonë të përbashkët. Çdo zgjerim i mëparshëm e ka dëshmuar këtë”.

“Dhe së treti, sepse Bashkimi Evropian mbetet një projekt tërheqës dhe i besueshëm – dhe ne duhet të përmbushim pritshmëritë që ai krijon”.

Shefi i Këshillit të Evropës tha se zgjerimi po ecën tani më shpejt se në 15 vitet e fundit dhe shtoi se duhet të shfrytëzohet kjo mundësi.

“Zgjerimi është një proces i bazuar në meritë, jo një garë apo konkurrencë mes kandidatëve. Ata që ecin më shpejt nuk duhet të pengohen nga të tjerët. Përkundrazi, ata duhet të vendosin ritmin dhe të shërbejnë si frymëzim për të gjithë”, deklaroi Costa pas përfundimit të samitit.

Këtë vit, ai tha se përparim të mirë ka arritur Mali i Zi dhe Shqipëria.

“Shqipëria ka arritur të hapë të gjithë kapitujt negociues në një kohë shumë të shkurtër, me të fundit të hapur në nëntor. Viti i ardhshëm do të jetë momenti i së vërtetës për përshpejtimin e reformave”, theksoi Costa.

Ai tha se vetëm duke e kapërcyer të kaluarën, Ballkani Perëndimor mund ta marrë plotësisht rolin e tij si anëtar i ardhshëm i BE-së dhe të kontribuojë në një Evropë të qëndrueshme, të begatë dhe të bashkuar.

“BE-ja është – dhe do të mbetet – partneri më i besueshëm i Ballkanit Perëndimor. Ata janë pjesë e familjes evropiane dhe Bashkimi Evropian është vendi i tyre”, potencoi Presidenti i Këshillit të Evropës, Antonio Costa.