Marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe e arritur në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, nuk ka elemente që mund ta krahasojnë me modelin e aplikuar në Bosnjë e Hercegovinë përmes Marrëveshjes së Dejtonit, thonë analistët politikë.
Sipas tyre, marrëveshja e Brukselit për Asociacionin ka elemente etnike dhe krijon një entitet serb, për çka po shpreh shqetësime opozita në Prishtinë. Por, thuhet se ajo dallon nga modeli i Bosnjës.
Për analistin e Grupit Ballkanik të Politikave, Naim Rashiti, shqetësimet e opozitës janë më shumë të natyrës politike.
“Asociacioni nuk ka asnjë element më tepër nga fushëveprimi i kompetencave komunale. Nuk ka asnjë element legjislativ, nuk ka asnjë element të zgjedhjes së drejtpërdrejtë, nuk ka asnjë element të sigurisë, pastaj të politikave fiskale, të cilat i ka Republika ‘Srpska’ në Bosnje. Prandaj, besoj që marrëveshja e arritur në Bruksel ka ruajtur me sigurinë më të madhe unitetin e shtetit, kushtetutshmërinë e vendit dhe legjislacionit”, ka thënë Rashiti.
Ai thotë tutje se një nga qëllimet e këtij dialogu është eliminimi dhe integrimi i strukturave paralele serbe çka, sipas tij, nëse arrihet të bëhet me këtë Asociacion, do të ishte një përparim i madh.
Në anën tjetër, analisti Belul Beqaj mendon se “bosnjëzimi”, si argument që e përmend opozita për të kundërshtuar marrëveshjen, nuk paraqet krahasimin më të mirë. Por, ai beson se ka një tjetër qëllim tek Asociacioni që, sipas tij, do të hetohet me kohë. Ai beson se Serbia dhe strukturat politike serbe që i mbështet në Kosovë, nuk do të tregojnë vullnet politik për të funksionalizuar shtetin e Kosovës me këtë.
“Janë dy çështje të cilat sipas mendimit tim janë vendimtare: E para – A është bërë çështja e ndërtimit të asociacionit për shkak se serbët dëshirojnë ta funksionalizojnë shtetin e Kosovës apo për ta detonizuar (bombë e kurdisur) shtetin e Kosovës? Unë mendoj që është në pyetje kjo e dyta. Pastaj, mendoj që argumenti i Qeverisë se me këtë po i heqin institucionet paralele nuk qëndron, pasi që po krijohet një entitet paralel në kuadër të sistemit të Kosovës i cili do të jetë nën kontrollin e plotë të Serbisë”, ka theksuar Beqaj..
Marrëveshja e fundit e arritur në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për Asociacionin, sipas Beqajt, do të shihet se sa do të jetë sfiduese atëherë kur të fillojë operacionalizimi dhe zbatimi i saj.
Aktualisht në Prishtinë ka dy interpretime të kundërta të marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Përderisa opozita e quan atë si hap drejt “bosnjëzimit” dhe krijimit të entitetit autonom serb në Kosovë, Qeveria e krahason me një Organizatë Joqeveritare. Të dyja interpretimet, sipas analistëve nuk qëndrojnë. Një e metë e këtij dialogu po besohet të jetë edhe mbyllja dhe jo transparenca e tij, çka më pas po krijon huti e konfuzion.
Rashiti thotë se dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është i mbyllur për mediat dhe opinionin, ngase kështu e ka përcaktuar ndërmjetësuesi, që në këtë rast është Bashkimit Evropian. Një qasje e tillë, sipas tij, më shumë i ka shkuar për shtati politikës në Serbi, por jo edhe asaj në Kosovë.
“Politika kosovare, institucionet, filluar nga kryeministri, do ta paguajnë dhe po paguajnë një çmim të lartë nga kjo qasje, ndoshta e imponuar ndaj tyre. Por, megjithatë ata kanë pasur mundësi të bëjnë shumë më shumë për të njoftuar opinionin në raport me metodologjinë e dialogut në raport me pritjet dhe në raport me çështjet që janë të ndërlidhura me Serbinë”, ka deklaruar Rashiti.
Asociacioni i komunave me shumicë serbe, sipas marrëveshjes, pritet të mbledh përfaqësues të deleguar nga dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë. Asambleja dhe Këshilli i këtij trupi, do t’i kenë shenjat dalluese dhe do të komunikojnë në emër të komunave serbe me institucionet qendrore në Prishtinë. /REL/
Osmani: Viti 2025 ishte sfidues, 2026 të jetë i bashkëpunimi...
“Paqe, shpresë e harmoni”: Urimi i ambasadorit britanik për ...
Tri pikat që u miratuan në mbledhjen e fundit të qeverisë pë...
‘‘Shprehim mirënjohjen tonë për miqësinë tuaj’’, ambasada am...
Zvicra në prag të Vitit të Ri, ngrica dhe mjegull
Ankand bamirësie – portreti i Picassos në vlerë 1 milion, ta...