Ditë më parë, u inskenua një krizë humanitare në veri ku thuhej se po mungojnë mallra ushqimore dhe barna.
Kjo nuk zgjati shumë. Qeveria e Kosovës tha se e kanë hetuar planin i cili sipas tyre është gatuar në Qeverinë e Serbisë për të inskenuar një krizë humanitare që të krijohet presion për heqje të taksës.
Kryeministri i vendit, ministria e Tregtisë dhe ajo e Shëndetësisë demantuan një krizë të tillë humanitare duke dhënë fakte se një gjë e tillë nuk është duke ndodhur.
Biznesmenët serbë të veriut vendosën t’i mbyllin dyqanet e tyre si shenjë revolte për mungesë të mallrave, e ky veprim pati jetë vetëm dy ditë.
Qeveria e Kosovës organizoi në veri pika alternative të shitjes së produkteve të cilat u refuzuan nga banorët serbë të asaj ane, por në të njëjtën kohë, biznesmenët serbë u detyruan të dalin kundër vetës dhe t’i hapin pas dy ditësh dyqanet.
Dyqanet në veri u hapën, import nga Serbia nuk ka – nga po vijnë “mallrat që mungonin” në veri?
E banorët shqiptarë të veriut gjithashtu po e pranojnë se e gjitha ka qenë një inskenim dhe se nuk ka pasur mungesë të mallrave atje.
B.I, banor shqiptar i Lagjes së Boshnjakëve për lajmi.net është shprehur se mungesë të mallrave nuk ka pasur, ai ka thënë se dyqanet në atë pjesë të veriut janë të mbushura me produkte.
“Krejt me plan u kanë. Nuk ka pasë krizë, këtu në lagje tonë ka mallra sa të duash, depot plot i kemi, edhe çmimet janë të njëjta, vet s’kanë dashtë me ble edhe i kanë mshefë mallnat”, ka thënë ky banor për lajmi.net.
Ndërkohë, R.F për lajmi.net, banor i Mitrovicës Veriore është shprehur se atje vërtetë nuk janë parë mallra nëpër dyqane, por sipas tij këto mallra me gjasë janë fshehur.
“Po, e vërtetë se kemi pa mungesë të mallrave, por janë zhdukë për një ditë e tash sot u hapen prapë të gjitha janë plot me mall, nashta i kanë mshefë ushqimet nëpër depo”, tha banori tjetër për lajmi.net.
E Gonxhe Çaushi, asamblistja shqiptare nga radhët e PDK-së në Mitrovicën e Veriut tha se ky plan ka qenë një dështim dhe kurrë nuk ka pasur një krizë të tillë.
“Ky plan ka qenë dështim për vet ata që e iniciuan një gjë të tillë, këto forma të veprimit nuk janë në të mirën e askujt, andaj mirë që kanë filluar dyqanet prapë të jenë funksionale, pasi që një krizë e tillë nuk ka ekzistuar urrë sidomos për palën serbe që të ekzistojë tash”, tha Çaushi për lajmi.net.
Duke thënë se është lajm i mirë se dyqanet kanë filluar të funksionojnë, ajo tha se qytetarët serbë të veriut mund të furnizohen edhe me mallra që u ofron shteti i tyre i Kosovës.
“Duke marrë parasysh që liria e lëvizjes së tyre nuk iu cenohet dhe kanë hapësirë të mjaftueshme për të blerë produktet vendore që iu ofron shteti i tyre i Kosovës”, tha Çaushi për lajmi.net.
Biznesmenët serbë të veriut kanë kërcënuar institucionet e Kosovës se nëse vazhdon “gjendja e njëjtë”, atëherë gjërat mund të shkojnë në rrugë pa kthim.
Ndërkohë, liderët serbë të Beogradit kanë thënë se do të bëjnë çmos për të futur mallrat e tyre në Kosovës që komunat me shumicë serbe të furnizohen.
Si pasojë e kësaj retorike të tyre, inskenimeve dhe ofensivës diplomatike të Serbisë kundër Kosovës sot Ministria e Jashtme e Kosovës ka ndaluar hyrjen në Kosovë të zyrtarëve serbë.
Vala e madhe e të ftohtit përfshin Azinë dhe Lindjen e Largë...
Gjendet pa shenja jete 31-vjeçari në Përmet
Vdes gazetarja kosovare Qefsere Nishevci
Mateo zbulon prapaskenat e lidhjes me Brikenën: Familjarët e...
Hoteli i parë në Hënë – rezervo tani me 1 milion dolla...
Osmani: Kosova dhe Bahamas i heqin vizat njëra-tjetrës