BQK mirëpret investitorët potencial nga Italia në Kosovë

17:33 | 7 Qershor 2016
M. A.

Ambasador italian në Republikën e Kosovës, Andreas Ferrarese i shoqëruar nga një delegacion vizitoi sot Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, të cilët u pritën nga Guvernatori i BQK-së, Bedri Hamza. Guvernatori Hamaza ka thënë me këtë rast se institucioni që ai drejton është i gatshëm të bashkëpunojë, jo vetëm me Bankën e Italisë, por të mirëpres edhe partnerët strategjikë nga Italia që të investojnë në Kosovë.

Siç thuhet në një komunikatë, fillimisht guvernatori Hamza ka falënderuar ambasadorin italian dhe delegacionin që kryesonte gjatë vizitës së tij në BQK, duke shtuar se Italia si një vend mik i Kosovës, në vazhdimësi ka qenë përkrahëse e madhe e zhvillimit ekonomik dhe institucional të Kosovës.

“Me këtë rast Guvernatori Hamza bëri një rezyme të zhvillimeve në BQK, duke u ndalur tek zhvillimet në sistemin bankar në Kosovë duke bërë një përshkrim lidhur me ecuritë ekonomike në përgjithësi, si dhe ecuritë në sektorin financiar të vendit, në veçanti”, thuhet në komunikatë.

Ndërkaq, ambasadori Italian Ferrarese ka falënderuar guvernatorin për pritjen e organizuar dhe theksoi se Italia vazhdon të jetë e fokusuar në mbështetjen e zhvillimit ekonomik dhe institucional të Kosovës dhe se informacionet e ofruara nga guvernatori Hamza, mbi ecuritë ekonomike e financiare do të jen ë të dobishme për rritjen e mëtejme të kësaj mbështetjeje si në sferën e identifikimit të projekteve të reja dhe të inkurajimit të investitorëve të rinj ashtu edhe atë të nxitjes së bashkëpunimit midis BQK-së dhe Bankës Qendrore të Italisë, gjithsesi edhe me institucionet e tjera ekonomike të Italisë.

“Guvernatori Hamza ka shprehur gatishmërinë e plotë të tij dhe institucionit që drejton që të angazhohen në thellimin e bashkëpunimit jo vetëm me Bankën e Italisë, por që ky bashkëpunim të shtrihet edhe me partnerë strategjikë nga Italia të cilët do të jenë të mirëpritur të investojnë në Kosovë. Të dyja palët bashkëbiseduese u dakorduan që takimet e këtij niveli të jenë më të shpeshta dhe të krijohen mundësitë e bashkëpunimit dhe temat e shtjelluara në një të ardhme të bëhen edhe realitet në praktikë”, thuhet në fund.

Shpërndaje në rrjete sociale