Berjani: Hykmete Bajrami po tenton të “kontrabandoj” ligjin e naftës

18:20 | 3 Shkurt 2016
M. A.

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani, po dyshon që ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami po punon për një grup të vogël të bizneseve që merren me shitjen dhe importin e derivateve të naftës.

Berjani tha se ministrja ka dërguar në Kuvend propozimet e ligjit për naftën duke ndryshuar nenin 5 pikën 6 i cili u jep mundësi për import vetëm atyre kompanive që kanë deponi. Por, sipas tij, me këtë ndryshim të ligjit ajo po favorizon një grup të caktuar të bizneseve, duke u ndaluar importin e derivateve të naftës kompanive të tjera që merren me shitjen me pakicë. Berjani i tha KosovaPress-it se ministrja Bajrami po mundohet të krijoj ligjin ashtu siç e kishte bërë edhe më herët ish ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bujar Dugolli.

Me këtë propozim ndryshim të ligjit, nuk pajtohet as anëtari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Blerim Grainca. Ai për KosovaPress tha se në asnjë mënyrë nuk e përkrahë monopolin në sektorin e naftës.

Ndërsa MTI heshtë për këtë çështje. KosovaPress ka dërguar pyetjet përmes postës elektronike në adresë të MTI-së, por edhe përkundër premtimit të këshilltares për media të ministres Bajrami, Vjollca Dibra, ajo nuk ka kthyer përgjigje, madje as nuk ju është përgjigjur më tej thirrjeve telefonike.

Shpërndaje në rrjete sociale