Berisha: Procedimi i serishëm i amendamenteve kushtetuese në dorë të Kuvendit

20:46 | 26 Qershor 2015
M. A.

Këshilltari i kryeministri Isa Mustafa për çështje të drejtësisë, Besnik Berisha, ka thënë për KosovaPress, se Qeveria mund t’i procedojë në Kuvend amendamentet vetëm atëherë kur Kuvendi e njofton zyrtarisht Qeverinë se amendamentet kushtetuese nuk janë miratuar nga ligjvënësit.

Ai po ashtu në një bisedë telefonike ka thënë se në momentin kur Qeveria pranon njoftimin prej Kuvendit se amendamenti 24 nuk e ka kaluar shumicën e mjaftueshme atëherë Qeveria ka mundësi që këtë amendament ta rivlerësojë , rishqyrtojë dhe procedojë në Qeveri dhe sërish ta dërgojë në Kuvend për miratim.

“Nuk ka asnjë pengesë ligjore që Qeverisë t’ia pamundësojë ridërgimin e këtij amendamenti në Kuvend. Nuk ka afat kohor, ju e dini që ka ndodhë që ligje të caktuara të cilat nuk janë proceduar menjëherë pas disa ditëve ose me një ditë pas janë ri-procedura dhe të njëjtat kanë kaluar dhe kanë hyrë në fuqi”, tha Berisha.

Në pyetjen se a ka gatishmëri Qeveria të dërgojë amendamentet kushtetuese përsëri në Kuvend, Berisha ka potencuar se tash për tash është kohë reflektimi dhe sigurisht që në mungesë të veprimeve nga ana e Kuvendit , nuk mund të thuhet më shumë nëse ka gatishmëri apo nuk ka.

Ai po ashtu tha se dominon bindja që detyrimin ndaj faktorit ndërkombëtar respektivisht ndaj marrëveshjes ndërkombëtare që i ka ratifikuar Kuvendi i Kosovës duhet të plotësohet.

Shpërndaje në rrjete sociale