Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini, Komisionerja për tregti Cecilia Malmstrom dhe Komisioneri Johannes Hahn në një letër të përbashkët drejtuar Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, ofrojnë opsion për zgjidhjen e problemit të tarifave ndaj Serbisë.
Ofrojnë mes tjerash që emërtimi “UNMIK” në CEFTA të zëvendësohet me “Kosova*”. Por kërkojnë që, si shenjë e vullnetit të mirë, para të hënës 17 dhjetor, kur në Bruksel zhvillohet takimi i Këshillit të MSA-së, Kosova përkohësisht të suspendojë zbatimin e vendimit për tarifën ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.
Tre këta pjesëtarë të Komisionit Evropian letrën Kryeministrit të Kosovës e kanë shkruar edhe duke adresuar disa shqetësime që Haradinaj ua ka shprehur në letrën që ai e kishte dërguar më parë kur kishte sqaruar arsyet pse Kosova kishte vendosur këto masa.
“Ne kemi marrë në dijeni po ashtu edhe listën e rasteve të praktikës tregtare nga ana e Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës që, sipas këndvështrimit të Kosovës, paraqesin barriera në zbatimin korrekt të aranzhimeve të CEFTA-s dhe krijojnë probleme domethënëse në terren për veprimet ekonomike dhe për qytetarët”, thuhet në letër.
Duke rikujtuar se si përvoja e Bashkimit Evropian përmes krijimit të tregut unik mes 28 shteteve anëtare dëshmon se si heqja e tarifave dhe barrierave jo-tarifore rezulton në rritjen e konkurrencës dhe ofertës për konsumatorët, nënshkruesit e letrës shprehen se vendimi i Qeverisë së Kosovës për të rritur tarifat ka qenë hap në drejtim të gabuar, që shkon në kundërshtim me progresin arritur në integrimin ekonomik rajonal.
“Vendosja e tarifave të reja në një afat të mesëm do të dëmtojnë interesat ekonomike të Kosovës dhe njerëzve të saj, duke zvogëluar shkëmbimin tregtar dhe dëmtuar atraktivitetin e Kosovës si vend për investime dhe biznes. Në dritë të kësaj ne duam të ritheksojmë se qëndrimi unik i BE-së është se ky vendim duhet të tërhiqet në rastin më të hershëm të mundshëm”, thuhet në këtë letër.
“Në të njëjtën kohë, Komisioni Evropian i merr shumë seriozisht shqetësimet e ndryshme që ju i keni ngritur në letrën tuaj. Në frymën e zonës së lirë tregtare, të gjithë aktorët duhet të respektojnë rregullat të cilat i kanë miratuar bashkërisht. Në mënyrë që të adresohen këto shqetësime, siç ju ka propozuar Komisioneri Hahn gjatë vizitës së tij me 3 dhjetor, Komisioni Evropian është i gatshëm që të vendosë një format të veçantë për ju dhe Serbinë për të gjetur urgjentisht zgjidhje konkrete dhe praktike për çështjet e ndryshme tregtare që ju keni përmendur”, thuhet në letrën e këtyre tre anëtarëve të Komisionit Evropian drejtuar Haradinajt.
Në vazhdim të letrës thuhet se “kjo do të mund, po ashtu, të përfshijë edhe çështjen e gjatë të zëvendësimit të UNMIK-ut me Kosovo* dhe çështjen më të gjerë të modernizimit dhe rivitalizimit të CEFTA-s”, ofrojnë nënshkruesit e kësaj letre.
Ata kërkojnë që Qeveria e Kosovës, si shenjë e vullnetit të mirë, para takimit të Këshillit MSA-së, pra para të hënës me 17 dhjetor, të suspendojë përkohësisht zbatimin e vendimit për tarifat, përderisa të zgjasin përpjekjet për zgjidhjen e përhershme të problemit.
Nesër në Bruksel zhvillohet takimi mes Kosovës dhe BE-së në kuadër të Këshillit të Stabilizim Asocimit. Një ditë më vonë, i njëjti takim zhvillohet edhe me Serbinë. Të mërkurën në Bruksel Federica Mogherini mbledh liderët e vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Çmimi i arit thyen rekord historik, kapërcen për herë të par...
Hamza takon Malajn, flasin për forcimin e lidhjeve kombëtare...
Edi Rama takohet me homologun izraelit, Benjamin Netanyahu
Rreth 90 të lënduar kur rrufeja ra pranë një tubimi në mbësh...
KQZ ka shkatërruar materialet zgjedhore të zgjedhjeve lokale...
Zgjerim hetimesh për zgjedhjet e 12 tetorit kërkojnë 33 ish-...