Bashkimi Evropian është në pritje të përgjigjes së Kosovës për një propozim lidhur me çështjen e targave serbe, që gjatë ditës së martë i dërguari i posaçëm për dialogun, Miroslav Lajçak, ia ka prezantuar kryenegociatorit të Kosovës për dialog, Besnik Bislimi, gjatë takimit të tyre në Bruksel.
Burimet e Radios Evropa e Lirë kanë konfirmuar se fjala është për propozimin për të zgjidhur urgjentisht çështjen e zbatimit të vendimit për ndërrimin e targave ilegale të Serbisë, në mënyrë që të shmangen tensionet në veri të Kosovës.
Kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, tha më 16 nëntor në Prishtinë se “ka elemente që i kemi diskutuar për mundësinë për dalje nga kriza, por nuk ka dakordim”.
Ai theksoi se nuk e di se çka do të ndodhë më 21 nëntor, sepse “jemi në bisedime”.
Qeveria e Kosovës nga 1 nëntori ka nisur zbatimin e planit të saj për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe, në targa RKS, Republika e Kosovës.
Faza e dytë do të zbatohet nga 21 nëntori dhe parasheh gjoba deri në 150 euro për të gjithë shoferët e automjeteve me targa ilegale serbe.
Qeveria e Kosovës do që këto automjete të riregjistrohen me targa të Republikës së Kosovës, RKS, por Serbia kundërshton, duke këmbëngulur në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.
Në rast se pala kosovare jep përgjigje gjatë ditës për këtë propozim, dhe varësisht nga ajo përgjigje, i dërguari i BE-së për dialogun, Lajçak, mund të vizitojë Beogradin për të biseduar edhe me palën nga Serbia.
Burimet e BE-së kanë përsëritur atë që më herët e kishte thënë edhe përfaqësuesi i lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, se duhet gjithsesi të arrihet një zgjidhje para datës 21 nëntor.
Një prej mundësive që përmenden nga burimet diplomatike është që të zgjatet afati kohor për ndërrimin e targave, edhe për dhjetë muaj, por pala kosovare, sipas të njëjtave burime, ka kërkuar nga BE-ja edhe sqarime se si do të jetë qëndrimi i saj pasi të skadonte një afat i tillë.
BE-ja nuk e vënë në dyshim të drejtën e Kosovës për t’i zëvendësuar targat e veturave, por deri më tash ka kërkuar që kjo të bëhet duke respektuar afatet kohore për të cilat BE-ja mendon se kanë afat edhe dhjetë muaj.
Mungesa e institucioneve bllokoi 882 milionë euro nga Plani ...
Kurti uron shqiptarët e “Shame and Money” që fituan çmimin k...
Hoxha: Inteligjenca ushtarake serbe e përfshirë në sulmin në...
AUV njofton se ka hequr nga tregu dy produkte Aptamil për fo...
Shpëton shëndosh e mirë i riu nga Hani i Elezit, e konfirmon...
Shembet muri në Han të Elezit, vetura përfundon nën rrënoja