Azemi i LDK-së dorëzon në Polici dosjen për njehsorët e rrymës: Qytetarëve t’iu kthehen paratë e marra padrejtësisht

10:05 | 7 Prill 2026
E.H

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Visar Azemi, ka dorëzuar në Polici dosjen me dëshmitë rreth njehsorëve elektrikë, si dhe po dëshmon në cilësinë e dëshmitarit.

Ky veprim vjen pasi ditë më parë, LDK-ja ka denoncuar se njehsorët e rrymës po kalkulojnë me orë të gabuar shpenzimet, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Azemi tha para medieve se është ftuar nga Drejtoria e Krimeve Ekonomike për t’i paraqitur dëshmitë që i kanë mbledhur dhe ato që ua kanë dërguar qytetarët. Ai tha se është në proces të dëshmisë, ku po dëshmon si dëshmitar.

“Të gjitha këto manipulime, i gjithë ky skandal që ka filluar me njehsorët elektrik po mundohet me u minimizu edhe nga ana e KEDS-it dhe fatkeqësisht edhe nga ana e Qeverisë, në këtë rast nga ana e Ministrisë së Industrisë, ku akoma po manipulojnë me qytetarë, po thojnë që këto devijime të cilat i kanë pranu dhe i kanë tërheq disa njehsorë elektrikë nga qytetarët, po e masin saktë sasinë por nuk po tregojnë ku është problemi”, tha Azemi.

Ai shtoi se energjia elektrike, e cila është dashur të faturohet me të lirën sipas Zyrës së Rregullatorit për Energji, është faturu me tarifën e shtrenjtë.

Azemi theksoi se po kërkon që të mos lejohen intervenimet as të KEDS-it dhe as të Ministrisë, që të hiqen provat- ndërrohen njehsorët, ngase kjo është vepër penale.

I njëjti pret që qytetarët të kompensohen për humbjet, duke shtuar se do të organizojë një peticion me të cilin do të kërkojë që qytetarëve t’iu kthehen paratë që u janë marrë padrejtësisht.

Shpërndaje në rrjete sociale