Avokati i Popullit, ka publikuar raportin lidhur me sistemi bonus-malus të sigurimeve. Në raport, Avokati i Popullit konstaton se detyrimi i pronarëve që të paguajnë më shumë për sigurimin e mjeteve të tyre ka rezultuar me shkeljen e së drejtës së pronës së pronarëve të mjeteve.
Në Republikën e Kosovës ekziston një sistem i rregullave që i rregullojnë çështjet e automjeteve, rregullave të trafikut rrugor dhe sigurimin e detyrueshëm nga auto-përgjegjësia.Në këtë drejtim, Avokati i Popullit ka vërejtur se sipas Ligjit për Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia, sistemi bonus-malus zbatohet si korrektues i lartësisë së primit të sigurimit, duke u bazuar në historikun e dëmeve të shkaktuara nga i siguruari.
Avokati i Popullit, duke pasur parasysh përcaktimet e rregullores në nenin 4, paragrafët 6,7, 8, 9 dhe 10, ka vërejtur se pronarëve të mjeteve të cilët gjatë vitit të sigurimit nuk kanë shkaktuar asnjë dëm, mirëpo në vitin pasues nuk i regjistrojnë veturat sipas kohës së përcaktuar në nenin 4, paragrafët 6, 7, 8, 9 dhe 10, përveç që nuk u zbatohet sistemi i bonusit (uljes së pagesës së sigurimit), ndaj tyre shqiptohet malusi (ngritja e çmimit të sigurimit).
Duke pasur parasysh përcaktimet e mësipërme, Avokati i Popullit konsideron se Rregullorja nuk e ka bartur frymën e Ligjit për Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia dhe si rezultat i kësaj e ka cenuar pronën e pronarëve të mjeteve, të cilat nuk regjistrohen sipas afateve të paragrafëve 6, 7, 8, 9 dhe 10, të nenit 4.
“Përfundimisht, Avokati i Popullit konsideron se është e nevojshme që të ndryshohet Rregullorja për Zbatimin e Sistemit Bonus-Malus, përkatësisht neni 4, paragrafët 6, 7, 8, 9 dhe 10, të harmonizohen me frymën e Ligjit për Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia, përkatësisht çmimi i pagesës së sigurimit të bazohet vetëm në historikun e dëmeve të të siguruarit”, thuhet në komunikatën e Avokatit të Popullit.
Avokati i Popullit, duke pasur parasysh rrethanat e theksuara më sipër, i rekomandon Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës që të ndryshojë Rregulloren për Zbatimin e Sistemit Bonus-Malus, përkatësisht t’i fshijë paragrafët 6, 7, 8, 9 dhe 10, të nenit 4 të Rregullores./rtk
Paralajmërimi i ambasadës së SHBA-së, MIA: S’ka informacione...
“Do ngremë kompaninë publike për naftën”, Rama: Do të futemi...
48-vjeçari shqiptar dënohet me 25 vjet burg për trafikim dro...
Oferta të ndryshme për Lewandowskin, ndër to edhe Barça
Furnizoi me naftë avionët amerikanë, Irani paralajmëron Bull...
Familjarët mbushin gjykatën në Greqi për tragjedinë e rëndë ...