Avokati i Popullit në takim me Trendafilovën ngre shqetësime për funksionimin e Dhomave të Specializuara

09:34 | 14 Maj 2025
A Z

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, një ditë më parë zhvilloi një takim me kryetaren e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, duke ngritur një sërë çështjesh thelbësore lidhur me funksionimin, transparencën dhe të drejtat procedurale në këtë institucion gjyqësor.

Sipas një komunikate për media bëhet e ditur se Qelaj shprehu shqetësimin e tij nëse po garantohet një gjykim i drejtë dhe i paanshëm sipas standardeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, lidhur me të drejtat e të akuzuarit në procedurë, e që janë të përcaktuara edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Tutje bëhet e ditur se Avokati i Popullit ka thënë se takimi është zhvilluar me kërkesën e Trendafilovës.

“Fillimisht, Avokati i Popullit potencoi shqetësimin e tij nëse po garantohet një gjykim i drejtë dhe i paanshëm sipas standardeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, lidhur me të drejtat e të akuzuarit në procedurë, e që janë të përcaktuara edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu në komunikatë bëhet e ditur se: “Në këtë aspekt, Avokati i Popullit foli në lidhje me barazinë e armëve në raport me provat dhe mënyrën se si janë siguruar këto prova, e në veçanti duke iu referuar provave që sigurohen nga Republika e Serbisë, duke pasur parasysh që Serbia është një shtet që ka qëndrime armiqësore ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pjesë e së cilës janë të akuzuarit”.

Në këtë takim sipas komunikatës thuhet se Qelaj shtoi se duke pasur parasysh mënyrën, rrugën dhe procedurat se si janë siguruar këto prova të njëjtat sa janë kredibile dhe sa mund të jenë të komprometuara në momentin kur paraqiten në gjykatë, dhe sa iu mundësohet mbrojtjes që këto prova t’i kundërshtojnë duke marrë informacione nga palët që i ka siguruar.

“Nga shqetësimet që i ka pranuar Avokati i Popullit, del brengosëse mënyra se si funksionon gjykata duke u konsoliduar të gjitha nivelet e gjykatës në një strukturë të vetme, që lenë për të dyshuar në pavarësinë e gjykatave të niveleve që veprojnë brenda kësaj gjykate, dhe kjo nuk është në frymën e standardeve ndërkombëtare që garantojnë gjykimin e drejtë në raport me shkallëshmërinë e procedurës dhe që ndërlidhen pastaj me të drejtën për një mjet efektiv juridik”, thuhet në komunikatë.

Sipas komunikatës, Qelaj potencoi se mbetet shqetësuese po ashtu kur brenda kësaj strukture është e vendosur edhe Dhoma Kushtetuese, duke vënë në dilemë edhe ndarjen e pushteteve, marrë parasysh që Dhoma Kushtetuese nuk ushtron funksionin e gjykatave të rregullta, por ka karakter të vlerësimit të kushtetutshmërisë, vendimeve dhe akteve tjera dhe të kontrollit të respektimit të të drejtave të njeriut në përputhje me standardet ndërkombëtare që janë pjesë e legjislacionit të Republikës së Kosovës.

“Për më shumë, ma shqetësuese e bën faktin se Avokati i Popullit është pjesë e kësaj strukture e kjo është në kundërshtim me parimet e Parisit që përcaktojnë se Avokati i Popullit duhet të jetë institucion i pavarur, i themeluar me ligj ose Kushtetutë, i zgjedhur në një mënyrë transparente dhe ushtron mandatin e tij në mënyrë të pavarur dhe të pandikuar nga asnjë autoritet, gjë që Avokati i Popullit në Dhomat e Specializuara nuk duket që i plotëson këto standarde”.

Në këtë takim është ngritur si shqetësim edhe përgjimi i bisedave edhe vizitave në paraburgim, pasi siç thuhet në komunikatë “konsiderojmë se përkundër faktit se këto mund të jenë të lejuara me ligj por cenojnë parimin e privatësisë, jetës familjare edhe cenojnë mbrojtjen efektive nëse këto përgjime ndodhin edhe në raport me ekip mbrojtëse të të akuzuarve”.

Avokati i Popullit e konsideron se problem në vete është kohëzgjatja e paraburgimit. Kjo kohëzgjatje dhe mos ndryshimi i masave me masa tjera alternative sikur Gjykata nuk u beson institucionet e Kosovës se ata mund të garantojnë respektimin e atyre masave dhe të garantojnë një proces të rregullt dhe të papenguar.

Avokati i Popullit theksoi edhe çështjen e kompensimit të viktimave që nuk janë në standard të njëjtë për të dëmtuarit që te rastet që gjykohen në Republikën e Kosovës sepse të gjithë duhen trajtuar njësoj.

Qelaj gjithashtu në takim ritheksoi edhe njëherë faktin se pavarësisht kufizimeve që ka në mandat në raport me Dhomat e Specializuara, ai megjithatë ka rol në raport me funksionimin e përgjithshëm të sistemit të drejtësisë, pjesë e juridiksionit të cilës janë edhe këto gjykata.

“Në këto rrethana kur shqetësimet e ngritura janë legjitime natyrisht ai ka përgjegjësi, kushtetuese dhe ligjore, dhe reagon për të gjitha këto çështje”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme