Auditori gjen shumë parregullsi në Polici dhe në Ministrinë e Integrimeve

16:50 | 29 Korrik 2015
M. A.

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike shqyrtoi raportin e Auditimit për pasqyrat vjetore financiare të Ministrisë së Integrimeve Evropiane, për vitin 2014 dhe raportin e Auditimit të Performancës për mirëmbajtjen dhe riparimin e automjeteve zyrtare në Policinë e Kosovës.

Raporti i auditimit i vitit 2013 për Ministrinë e Integrimit Evropian ka rezultuar me nëntë rekomandime dhe deri në fund të auditimit për vitin 2014, katër prej tyre janë adresuar.

Ilir Abazi udhëheqës i grupit të auditimit nga zyra e Auditorit të Përgjithshëm tha se gjysma e rekomandimeve nuk janë zbatuar dhe kjo ka ndikuar në aspektet e planifikimit dhe menaxhimit të buxhetit.

Edhe pse në raport flitet për një periudhë kur ministria e Integrimit Evropian nuk ishte nën drejtimin e ministrit Bekim Çollaku, ai u zotua se rekomandimet e mbetura do të merren parasysh dhe të implementohen në kohën e qeverisjes së tij.

“Raporti i Auditimit për vitin 2014 ka konstatuar 9 rekomandime të bëra për raportin e vitit 2013, ku nga to 4 janë zbatuar, një rekomandim është në proces, ndërsa 4 rekomandime të tjera do të adresohen gjatë mandatit tim. Unë pres që në vitin e ardhshëm të flasim dhe të diskutojmë bashkë për raportin e Auditimit për vitin 2015, këto rekomandime të jenë të përmbushura ashtu siç është rekomanduar në raport”, tha Çollaku.

E, sa i përket keqpërdorimit të biletave që përmendet në raport, anëtari i këtij komisioni nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, tha se në disa raste, kur bëhet fjalë për ministrat dhe zyrtarët e tjerë nuk duhet të shikohet klasa me të cilin udhëtojnë pasi që pozita zyrtare ua kërkon që të kenë një trajtim më të mirë.

Por, për këtë bashkanëtari i tij në këtë Komision nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bali Muharremaj, tha se për rastin në fjalë kur përmendet keqpërdorimi i biletave të udhëtimit, nuk bëhet fjalë për Ministrinë, por për udhëtarë të tjerë.

“Këtu nuk ceket domethënë që ka udhëtuar ministri përjashta, por ceket që dy udhëtarë kanë udhëtuar me biznes klasë i njëjti aeroplan që kanë mundur të udhëtojnë me klasë ekonomike ku është dallimi diku 5 mijë e 500 euro, që për mua kjo është mbishpenzim”, tha Muharremi.

Ndërsa, sa i përket raportit të Auditimit të Performancës për mirëmbajtjen dhe riparimin e automjeteve zyrtare në Policinë e Kosovës, drejtoresha e Auditimit, Fatlinda Ramosaj, tha se në raport janë dal shumë parregullsi. Njëra ndër to e që është ndër më kryesoret, sipas saj, është mosfunksionalizimi i Flotës Operative.

Gjithashtu, sipas raportit vetëm për tri vite, në disa lloje të automjeteve në Policinë e Kosovës vlera e riparimeve e kalon vlerën e blerjes./arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale