Auditimi i PDK-së për vitin 2024: Zyra pa qira, mungesë dokumentacioni dhe paqartësi në prokurim

15:07 | 19 Qershor 2025
E.K

Raporti i auditimit për Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), i publikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka identifikuar disa parregullsi në menaxhimin financiar të partisë për vitin 2024.

Një nga gjetjet kryesore ka të bëjë me mospasqyrimin e saktë të kontributeve në natyrë dhe shpenzimeve për qira.

PDK ka raportuar 2,900 euro si shpenzim për qira për një objekt në Gjilan, për të cilin nuk ka dokumentacion të qartë pronësie apo kontratë ligjore.

‘Subjekti politik ka njohur si kontribute në natyrë dhe shpenzime për qira shumën 2,900.00 euro për një objekt në Gjilan, për të cilin nuk është e qartë pronësia. Sipas deklaratës së nënshkruar nga subjekti politik, ky objekt është në shfrytëzim nga viti 1999, por nuk ekziston dokumentacion mbështetës që të vërtetojë të drejtën e shfrytëzimit ose pronësinë mbi këtë pronë. Mungesa e këtyre të dhënave krijon pasiguri lidhur me korrektësinë e prezantimit të kontributeve në natyrë dhe shpenzimeve në pasqyrat financiare”, thuhet në raport.

Një tjetër çështje e ngritur është mungesa e procedurave të formalizuara të prokurimit.

Partia nuk ka zbatuar ndonjë sistem tenderimi për blerjet dhe furnizimet, duke rritur rrezikun për përdorim joefikas të fondeve.

“Subjekti politik nuk ka zbatuar ndonjë procedurë të formalizuar të tenderimit për blerjet dhe furnizimet e mallrave dhe shërbimeve, duke rritur rrezikun për shpenzime joefikase dhe përdorim joekonomik të fondeve. Për më tepër, subjekti politik nuk ka krijuar dhe zbatuar politika dhe procedura të menaxhimit financiar dhe kontrollit për procesin e prokurimit, duke krijuar paqartësi në menaxhimin dhe dokumentimin e shpenzimeve”, thuhet tutje në raport.

Po ashtu, është evidentuar se kontrolli i brendshëm financiar nuk ka qenë funksional, ndonëse ekziston në dokumente dhe është i paraparë me Statut. Sipas raportit, ky mekanizëm nuk është zbatuar në praktikë për shumicën e blerjeve dhe furnizimeve.

Një tjetër mangësi është mungesa e nënshkrimeve të rregullta në pasqyrat financiare. Ato nuk janë nënshkruar nga një kontabilist i certifikuar, siç kërkohet me ligj, gjë që dëmton besueshmërinë e të dhënave financiare./Arbresh.info