Arrestohet një serb i Serbisë, i gjendet drogë

16:13 | 26 Maj 2016
M. A.

Policia e Kosovës, sot ka arrestuar një person, shtetas i Serbisë që posedonte narkotikë.

Operacioni policor është realizuar në rrugën magjistrale Prishtinë-Graçanicë, konkretisht në fshatin Hajvali, ku pas kontrollit të veturës së të dyshuarit të arrestuar është gjetur sasi e konsiderueshme e narkotikëve.

Personi i arrestuar në këtë rast është: I.A.(1972) shtetas i Serbisë

Gjatë kontrollit në veturën e personit të dyshuar, zyrtarët policorë në veturën e të dyshuarit kanë gjetur dhe kanë konfiskuar: 25 paketime të mbushura me narkotikë të llojit marihuanë, pesha e të cilës ka rezultuar të jetë 13 kilogramë e 457.6 gramë, 10180 dinarë dhe 95 euro para të gatshme, dy telefona celularë.

Me vendim të prokurorit kompetent i dyshuari është arrestuar dhe dërgohet në qendrën e mbajtjes./

Shpërndaje në rrjete sociale