Arrestohen katër persona për shitjen e paligjshme të një prone mbi 1.5 milion euro në Prishtinë

14:09 | 19 Shkurt 2026
E.K

Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) kanë arrestuar katër persona të dyshuar për mashtrim dhe falsifikim dokumentesh, pasi dyshohet se kanë tjetërsuar dhe shitur në mënyrë të kundërligjshme një pronë në vlerë prej 1,578,180 eurosh.

Sipas njoftimit zyrtar, të dyshuarit M.M., Sh.B., D.R. dhe B.Zh., përmes falsifikimit të dokumenteve, përfshirë një pasaportë të Serbisë dhe dokumente të tjera, si dhe duke paraqitur një person të rrejshëm si pronar të ligjshëm, kanë arritur ta shesin përmes noterit pronën e ankuesit M.T., në sipërfaqe prej 36.28 ari. Ata dyshohet se kanë mashtruar edhe blerësin H.M., duke i prezantuar dokumentacion të rregullt për pronën.

Në këmbim të shitjes së paligjshme, të dyshuarit dyshohet se kanë përfituar shumën totale prej 1,578,180 eurosh.

Me urdhër verbal të prokurorit të rastit, policia ka realizuar kontrolle në pesë lokacione të ndryshme, ku janë gjetur dhe sekuestruar 9,000 euro si prova materiale për procedurat e mëtejme hetimore.

Të dyshuarit ngarkohen për veprat penale “Mashtrimi” sipas nenit 323 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), “Falsifikimi i dokumenteve” sipas nenit 390, si dhe “Legalizimi i përmbajtjes së rreme” sipas nenit 395.

“Sot me datën 19.02.2026 të dyshuarit e lartcekur janë intervistuar në cilësi të personave të dyshuar në prezencën e avokatëve mbrojtës dhe pas konsultës me prokurorin e rastit nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, janë dërguar në mbajtje prej 48 orësh”, thuhet në njoftim./Arbresh.info